Përkeqësimi i situatës nga moti i keq, Policia në gatishmëri

Policia e Shtetit njofton se ka marrë të gjitha masat pas përkeqësimit të situatës në akset rrugore në vend për shkak të motit të keq.

Sipas njoftimit të Policisë të gjitha shërbimet janë në gatishmëri dhe prezente në të gjithë territorin e vendit.

Ajo u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal dhe për çdo rast të paligjshmërisë të denoncojnë në 112.

Njoftimi i Policisë

Në gatishmëri e prezent në të gjithë territorin. Për shkak të situatës së krijuar si pasojë e motit të keq në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë vijojnë të jenë në gatishmëri.

Të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, forcat “Shqiponja”, FNSH-ja dhe inspektorët e Policisë në zona ndodhen në gatishmëri dhe prezent në të gjithë territorin për të menaxhuar dhe monitoruar lëvizjen e automjeteve në rrugët urbane e interurbane dhe akset kryesore rurale që lidhin qendrat administrative me qendrat e bashkive, si dhe për t’iu ardhur në  ndihmë përdoruesve të rrugës dhe qytetarëve në nevojë, duke koordinuar dhe bashkëpunuar me emergjencat civile, prefekturat, pushtetin vendor dhe kryepleqtë e fshatrave.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të treguar kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve dhe motomjeteve dhe në rast nevoje apo për të denoncuar çdo rast të paligjshmërisë telefononi në numrin 112 ose dërgoni imazhe në Komisariatin Dixhital.