Përkeqësohet situata nga reshjet në Shkodër, rriten me 10 cm Buna dhe Drini

reshje shkoder 1100x620

Vazhdon të jetë e përkeqësuar situata e krijuar për shkak të reshjeve të dendura të shiut në Qarkun e Shkodrës. Nga dje me sot rezulton një rritje prej 10 cm në lumin Drin dhe Bunë. Sipas raportimeve nga prefektura e këtij qarku në Bashkinë e Shkodrës  janë përmbytur 1595 Ha.

Mësohet se vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta dhe qarkullimi mund të klryeht vetëm me mjete të larta, ndërsa niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80cm. 

Ujesjellesi Oblika 1 ka dalë jashtë funksionit si pasojë e përmbytjeve dhe furnizimi me ujë të pijshëm i banorëve të  fshatit Oblikë është bërë nga UKSH.

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 880 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan, Oblikë.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat.

Vazhdon gwrryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë.

Në Velipojë, në dy shtëpi ka prezencë uji rreth 30cm. Ka shkarje dherash në rrugën Baks –Rrjoll, ndërkohë që Bashkia Shkodër po punon një fadromë për pastrimin.

Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës në fshatin Bërdicë e Sipërme, si edhe nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj.

Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.

Bashkia e Shkodrës duke parë situatën që po përkeqësohet ka bërë lajmërimin e hershëm për banorët që rrezikohen nga përmbytja që të marrin masa për sigurimin e gjësë së gjallë, prodhimeve bujqësore, mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme që mund të dëmtohen.

Gjithashtu Bashkia ka kërkuar nga Emergjencat Civile të Prefekturës makinë ushtrie për transport në rrugën e Obotit dhe varkë lundruese nëse rritet niveli i ujit edhe 50 cm.