Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Reshje bore në Kukës, Fierza arrin kuotën e 282.71 metrave

Nga A2 CNN
10 Janar 2021, 10:06 | Aktualitet

Mbrëmja e djeshme shënoi nisjen e reshjeve të borës në Kukës. Trashësia e borës në mesnatë në zonat e larta malore arriti deri në 25 cm. Në qytetin e Kukësit  trashësia e borës ishte papërfillshme.

Ndërkohë mëngjesin e kësaj të diele u rikthyen e reshjet e shiut. Aktualisht Rruga e Kombit dhe akset e tjera kombëtare janë të qarkullueshme pa probleme. Në Rrugën e  Kombit, kompania koncesionare gjatë gjithë natës së djeshme nxori borëpastruese për pastrimin e saj dhe kriposjen. Deri më tani nuk raportohet për rënie të gurëve. Problematika vërehen në rrugët rurale ku ka prani inertesh dhe bore në segmente të caktuar.

Bashkia e Kukësit njoftoi se mjetet e makineritë e saj janë në terren për rrugët e fshatrave ku mund të paraqiten problematike të shkarjes së inerteve dhe prezencës së borës.

Mjetet e Bashkisë Kukës janë në terren  që prej mbrëmjes së djeshme për pastrimin e rrugëve nga bora dhe inerteve. Në fshatin Shtiqën ka patur përmbytje të disa tokave bujqësore afër aeroportit, ku mjetet e Bashkisë  dhe të aeroportit po punojnë për pastrimin e kanalit kullues për largimin e këtyre ujërave. Gjendja e rezervateve është nën monitorim të vazhdueshëm. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është normal.

Sipas shtabit të emergjencave civile të Bashkisë Kukës deri më tani nuk raportohet për probleme.

Në 24 orët e fundit prurjet në Liqenin e Fierzës shënojnë 1200 metër kub ujë në sekonde. Aktualisht sipas të dhënave të Komisionit Rajonal të Mbrojtjes Civile, kuota e tij shënon 282.71 metra. Rikthimi i reshjeve të shiut ka shkaktuar problematika të pranisë së ujit sidomos në rrugët dytësore dhe zonat periferike të qytetit të Kukësit. 

Situata në Has e Tropojë  

Sipas informacionit të marrë nga strukturat përgjegjëse situata e orës 9:00 në Qarkun Kukës është si më poshtë ;Qarku Kukës është përfshirë gjatë natës nga reshje bore dhe në orët e para të mëngjesit nga reshje shiu me intensitet të ulët. Sasia e borës së rënë gjatë natës në pikat dominuese është; Në Valbonë 15 cm, Qafë Prush 10 , Shishtavec 5 cm dhe Qafë Shllak 10 cm.

Nga informacionet e marra nga firmat kontraktore që kanë në performance rrugët nacionale të gjitha rrugët janë të kalueshme normalisht dhe kanë angazhuar 19 borëpastruese, 1 fadromë,  1 Kamionçin dhe 42 punonjës.

Nga Bashkia Tropojë. Rrugët rurale janë të kalueshme normalisht. Në lagjen Dedaj Nj.Ad Legbibaj ka patur rrëshqitje dheu pa dëme në objekte dhe njerëz.

Gjendja e rezervuareve është nën monitorim të vazhdueshëm. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është normal.

Nga Bashkia Has. Gjendja e rrugëve rurale është e mirë.Gjendja e rezervuareve është nën kontroll dhe po verifikohet vazhdimisht. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është i rregullt. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë