Sulçebe i kundërpërgjigjet Bratajt: Të konsultojë ekspertizën shkencore përpara se të prononcohet publikisht

sulcebe brataj 1100x620

Skënder Brataj doli kundër studimit të Akademisë së Shkencave për arritjen e imunitetit në masën 50% në popullsinë e Tiranës. Kreu i Urgjencës Kombëtare e cilëson të nxituar dhe të pavërtetë rezultatin e nxjerrë në ditët e fundit të vitit 2020, që, sipas tij, solli edhe shkelje në masë të rregullave anticovid nga qytetarët.

Brataj u shpreh: “Mora një lajm 50% imunizim, po se ku u bë, sa ishin numrat, me çfarë metodologjie dhe kush e kontrolloi nga ana shkencore? U tha nga Akademia e Shkencave. Mesa di, janë rreth 800 veta që u testuan dhe nuk mund të quhet studim dhe as bën një tregues për popullësinë. Unë mendoj se imunizimi nuk është më shumë se 20-25%”.

Pas kësaj deklarate reagoi mjeku imunolog, Genc Sulçebe, i cili më 30 dhjetor prezantoi studimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në lidhje me imunizimin e qytetarëve nga koronavirusi.

“Më çuditi denigrimi krejt subjektiv që z. Brataj i bën këtij studimi. Ai nuk e pranon shifrën për qytetin e Tiranës dhe thotë, sigurisht vetëm me hamendjen e tij, që seroprevalenca e vërtetë në qytetin e Tiranës është 20 deri 25%. Këtu ai i referohet dhe burimeve epidemiologjike nga SHBA, të cilat konfirmojnë që prevalenca e vërtetë e infeksionit në popullatë është 10 herë më e lartë sesa numri i individëve të deklaruar zyrtarisht. Pra, duke u nisur nga kjo referencë e përmendur nga vetë Z. Brataj dhe siç pohon dhe vetë ai në prononcimin e tij, nëqoftëse numri i personave të deklaruar në Shqiperi si të infektuar me COVID-19 deri tani është rreth 60 000, atëherë numri real i individëve të infektuar duhet të jetë në fakt 600 000, që korrespondon me rreth 21% të popullatës shqiptare. Deri këtu, ne jemi dakord me Z. Brataj, por përsa i përket qytetit të Tiranës, ai është krejt gabim, pasi kjo përqindje nuk mund të jetë e vlefshme për kryeqytetin. Dihet që Tirana, sipas të dhënave zyrtare të deritanishme, përbën gjysmën e rasteve me COVID-19 të gjithë Shqipërisë. Atëherë, në zonat urbane të Tiranës duhet të jenë deri tani të pakten 300 000 të infektuar nga COVID-19. Kjo vlerë korrespondon dhe me shifrën afër 50% të seroprevalencës së antitrupave anti SARS-CoV-2 që nxori dhe studimi i Akademisë së Shkencave në qytetin e Tiranës. Pra, hamendja e Z. Brataj që Tirana ka një përqindje infeksioni prej maksimum 25% është e gabuar”, shkroi Sulçebe në Facebook.

“Përgëzoj pa dyshim punën e Z. Brataj për organizimin e Urgjencës Mjekësore, por e ftoj atë të konsultojë ekspertizën shkencore përpara se të prononcohet publikisht për studime jashtë fushës së tij operacionale”, shtoi mjeku imunolog.

Reagim pati edhe epidemiologu Alban Ylli, i cili u shpreh: “Në thelb, ishte sulm kundër faktit shkencor, për të cilin shoqëria është e etur, dhe promovonte opinionin personal, i cili po eklipson gjithçka. Jam shumë i zhgënjyer. Lidhur me studimin, mirëpres të gjithë skepticizmin e shëndetshëm, i cili do të duhet të zbatohet në leximin e çdo studimi në botë. Rruga e opinioneve personale ngjan me lojën e kungulleshkave dhe ndihmon pak. Nga ana tjetër, ajo e ul besimin e publikut tek profesionistët dhe autoritetet shëndetësore”.