Votimi i emigrantëve, KQZ përjashton e-Albania. Verifikimi, edhe me “Face ID”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përcaktuar mënyrën se si do të regjistrohen emigrantët në mënyrë që të votojnë për 25 prillin, pa pasur nevojë që të vijnë në Shqipëri.

Në variantin përfundimtar, Ilirjan Celibashi ka përjashtuar mundësinë që emigrantët të mund të gjenerojnë të drejtën e votës nëpërmjet portalit e-Albania, por një sistem i tillë do të ndërtohet brenda KQZ-së.

Sistemi parashikon që shtetasit me banim jashtë territorit të Shqipërisë të regjistrojnë të dhënat e tyre si gjeneralitetet, numrin personal e deri tek vërtetimet e banimit apo kontratat e ujit dhe dritave.

Duke qenë se e gjithë procedura do të bëhet “online”, ngrihet pyetja se kush i plotëson të dhënat? Për të vërtetuar se personi që plotëson gjeneralitetet është i njëjtë me zotëruesin e tyre, KQZ ka parashikuar dy mënyra. E para, kërkon që personi aplikues, krahas gjeneraliteteve të veta, të deklarojë edhe ato të prindërve, vëllezërve ose motrave dhe fëmijëve të tyre.
Mënyra e dytë është ajo nëpërmjet identifikimit të fytyrës nga telefonat e gjeneratës së fundit, nëpërmjet një aplikacioni ose faqes “online”, që KQZ parashikon ta ndërtojë vetë.

Por, të gjitha këto parashikime të KQZ-së janë bërë në afate tejet të ngushta, pasi data 24 shkurt është parashikuar si dita kur mbyllen regjistrimet për të gjeneruar të drejtën e votës. Dhe po brenda këtyre afateve të ngushta, KQZ duhet të zhvillojn të gjithë procedurën e tenderimit.