350 vetë në bankën e të akuzuarve, gjyqi ndaj ‘Ndrangheta-s do të bëhet në një call center

Sekretet e një prej organizatave kriminale më famëkeqe të Italisë do të bëhen publike shumë shpejt, pasi së shpejti nis gjyqi më i madh në 30 vitet e fundit në Itali.

350 persona, mes tyre edhe politikanë, të akuzuar se janë pjesë e organizatës kalabreze ‘Ndrangheta, do të mbyllen nëpër kafazë gjatë seancave, që do të zhvillohen në një sallë “call center”, për shkak se nuk mund të qëndrojnë në një sallë normale gjyqi. Në të, do të ketë më shumë se 1000 persona, përveç të pandehurve do të jenë edhe avokatët e tyre, gjykatësit, prokurorët dhe spektatorë që do të ndjekin gjyqin, që pritet të nisë të mërkurën.

Hetuesit do të zbulojnë gjatë seancave 24 mijë përgjime tek të cilat bazohen akuzat për vrasje, zhvatje dhe trafikim droge.

Më shumë se 900 dëshmitarë do të japin deklaratat e tyre mbi aktivitetin e organizatës, që vlerësohet se ka një xhiro vjetore 40-50 miliardë euro.

‘Ndrangheta besohet se ka lidhje të forta me kartelet amerikano-jugore, prej nga merr drejtpërdrejt edhe kokainën përmes porteve europiane, si ai i Roterdamit. Ndërsa për transportimin e lëndës narkotike, ka krijuar lidhje me bandat shqiptare dhe ato turke, shkruan britanikja “Times”.

Gjyqi i fundit i këtyre përmasave është zhvilluar në vitin 1986 në Palermo, ku u ekspozuan dhe u arrestuan krerët e mafias siciliane. Të akuzuar janë arrestuar prej vitit 2019 në vende si Italia, Gjermania, Zvicra dhe Bullgaria. Mes të arrestuarve ishte një senator italian, një shef policie, avokatë, e këshilltarë bashkiakë lokalë, si dhe biznesmenë të shumtë.

FBI vlerëson se ‘Ndrangheta është një organizatë me rreth 6000 anëtarë. Emri i saj vjen nga fjala greke “andragathia”, që do të thotë guxim apo besnikëri. Grupi konsiderohet si përgjegjës për importimin e 80% të kokainës që qarkullon në Europë, duke kaluar në fuqi Mafian dhe Camorra-n.