Rama: Do ta bëj vaksinën për të dhënë mesazhin se është e sigurt

Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të vaksinohet sot, “vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurt, por është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm”.

“Dokrrat me çipa e manipulime genesh janë qesharake. E kanë bërë edhe kolegë të mitë, do ta bëj edhe unë. Anëtarët e kabinetit qeveritar janë si gjithë të tjerët dhe nuk kanë pse të dalin në radhë para mjekëve, policëve, mësuesve dhe të moshuarve. As unë nuk do të duhej, por meqë kemi në vend një grup konspiracioni, do ta bëj. Nuk do të doja t’i zija radhën askujt, por do ta bëj sot patjetër vetëm për këtë arsye”, u shpreh Rama.

“Vaksina nuk është e detyrueshme, secili zgjedh vetë. Por, është shumë e këshillueshme sepse është arma që na mbron nga ky armik”, shtoi kryeministri.

Rama sqaroi se sot do të niset me 900 vaksina, ndërsa në javën e tretë të janarit do të vijnë 10 000 doza.