Basha në zonat e përmbytura në Rrushkull: Qytetarët të rrethuar nga uji, ministrat në darka luksoze

Untitled collage 2021 01 11T115209.496 1100x620

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ndaluar në Rrushkull të Sukthit, ditën e sotme, për të parë nga afër zonat e prekura nga përmbytjet.

Pasi u njoh me situatën dhe me problematikën që kishin banorët e kësaj zone, kreu i demokratëve u shpreh se nëse qeveria do të punonte dhe do të bënte investime, vendi nuk do të ishte në këtë situatë.

Basha e konsideroi të papranueshme që ndërkohë që qytetarët vuajnë, ministrat e qeverisë shpenzojnë shuma të mëdha parash për darka luksoze në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Situata po vazhdon të jetë e rëndë nga moti i keq. Duhen masa për t’u ardhur në ndihmë njerëzve. Po të ishin bërë investime nuk do ishim në këtë situatë. Fjalë shumë, punë zero apo pak dhe faturën e paguani ju.

E pafalshme, ndërkohë që njerëzit janë në këtë situatë, pa ujë, ministrat shtrohen në restorantet me luksoze të Emirateve. Kjo është e papranueshme. Duhet një qeveri që të mendojë për njerëzit. Nuk ka asnjë arsye përse të mos ju vijë në ndihmë me ujë të pijshëm, medikamente, ushqime. Kjo është një zonë e varfër, e goditur nga tërmeti. Tani janë shkatërruar dhe të mbjellat. Me një qeveri që e ka mendjen te ju, ky shtet e ka mundësinë për t’ju ndihmuar”, u shpreh Basha.