“Darka e Dubait nuk ishte vetëm ushqim i shtrenjtë”, Vasili: Asnjë vlerësim për SPAK, as në anglisht, nuk vlen nëse nuk vepron

“Darka e Dubait nuk ishte vetëm ushqim i shtrenjtë” Vasili  Asnjë vlerësim për SPAK as në anglisht 1100x620

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha në një konferencë për mediat se video që qarkullon në rrjetet sociale ku disa përfaqësues të mazhorancës po darkojnë në një restorant të shtrenjtë në Dubai, nuk ka të bëjë vetëm me faturën e kripur që ka një darkë atje.

“Duhet të kuptoni se cili ka qenë thelbi politik, ekonomik, shpërdorues që simbolizohej në darkë, që ishte shumë më tepër sesa keni parë, pra ca ushqime të shtrenjta”, tha Vasili.

“Këta zotërinj e zonja, të ulur atje, bashkë me personazhin kryesor që mungonte, Edi Rama, kanë miratuar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, në shkeljen më skandaloze të ligjit që mund të ketë bërë ndonjë qeveri shqiptare në këto 109 vite shtet të pavarur shqiptar. Sipas marrëveshjes, të gjitha projektet dhe kontratat të lidhura me këtë marrëveshje, nuk do t’i nënshtrohet procedurës së prokurimit publik. Kjo është menyja e vërtetë.  Aty ishin tri projekte, rizhvillimi i portit të Durrësit, mundësitë e investimit në Vlorë, Sarandë e Ksamil dhe investime në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Në marrëveshjet e mëparshme thuhet qartë që palët të zhvillojnë marrëdhënie në përputhje me legjislacionin në fuqi të të dy vendeve”, tha Vasili.

Ai i bëri thirrje SPAK-ut të veprojë për të hetuar këtë marrëveshje. “Asnjë deklaratë mbështetjeje për SPAK, në shqip, apo në anglisht, nuk ka asnjë vlerë nëse nuk vepron. Ose vepron sot, ose nesër do të jetë patjetër në bankën e të akuzuarit”.