Darka luksoze e qeverisë në Dubai u pagua nga investitorë, konflikt i hapur interesi

Kjo video e një darke në Dubai, në një kohë kur vendi po kalonte një situatë të vështirë me përmbytjet, i ka kushtuar shtrenjtë qeverisë Rama në opinionin publik. Në të shihen ministrat Ahmetaj dhe Balluku, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Mazniku dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë dhe sipërmarrës, duke u shërbyer në një prej restoranteve më luksozë në botë, i famshëm për Nusretin që hedh kripë, biftekun prej ari dhe çmimet tejet të kripura.

A është ky një shembull i një ndjeshmërie të ulët publike, kur qeveria bën qejf, teksa populli përballet me disa kriza njëkohësisht?

 “Nëse ne nuk do të kishim videon e vetë restorantit, nuk do ta kuptonim që delegacioni shqiptar ishte i pranishëm aty. Por, ne pamë që delegacioni hyri online për të treguar që po merrte masa për përmbytjet, ndërkohë që ishin në Dubai”, thotë Afrim Krasniqi.   

Afrim Krasniqi

Por, më problematike është kjo përgjigje që kryeministri i bën një komentuesi në Facebook në lidhje me darkën.

“Informohu që të mos flasësh mbrapsht, sepse as nuk kanë shkuar për qejf, pasi nuk kanë shpenzuar asgjë nga taksat e tua në këtë rast pasi të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga pala mikpritëse që është një ndër grupet më të mëdha të botës, i interesuar për të investuar në Shqipëri!”, ishte postimi i tij.

“Amerikanët kanë një shprehje, e domosdoshme në politikë, kurrë nuk ka darkë falas. Gjithmonë, ai që paguan e ka një interes. Delegacionet sa herë që shkojnë në këto vende marrin dhurata të shtrenjta”, shton Krasniqi.  

Legjislacioni shqiptar shprehet qartë që një rast i tillë është shkelje e dyfishtë, si për konflikt interesi, ashtu edhe për dhurata që tejkalojnë vlerën e lejuar.

Rrethana e ekspozuar konsumon konfliktin e interesit. Një pjatë e vetme bifteku shkon tri apo katër herë më shumë se limiti i lejueshëm nga Republika e Shqipërisë në të tilla raste”, shton Gerti Shella, drejtor ekzekutiv i INFOCIP.

Gerti Shella

Ekspertët shprehen se në vendin tonë mungon tërësisht kultura për të raportuar konfliktet e interesit. Sipas ligjit, kjo dhuratë nuk duhet të pranohej dhe mbulimi i shpenzimeve duhej së paku deklaruar zyrtarisht.