Flet personi i parë i vaksinuar në Shqipëri: Nuk e besonim, u bë realitet

najada como 1100x620

Shefja e Shërbimit të Spitalit Infektiv, Najada Çomo, ishte personi i parë që mori vaksinën e Pfizer ndaj koronavirusit në Shqipëri.

Pasi mori vaksinën, Çomo foli shkurt për gazetarët, duke u shprehur e lumtur që më në fund vaksina u bë realitet edhe për Shqipërinë.

“Ishte kënaqësi e madhe që u bë realitet edhe pse nuk e besonim. Ne jemi njerëzit më të gëzuar, pasi jemi përballur me një realitet shumë të vështirë”.

Ndërkohë, mjeku Pëllumb Pipero tregon për gjendjen e tij pasi u vaksinua. “Jam i qetë. Ndihem mirë. Nuk pata ndonjë efekt anësor, të paktën deri tani. Fasha e riskut, të gjithë qytetarët të nevojë të jenë pjesë e këtij procesi. Unë jam njoftuar dje nga shefja e shërbimit.

Përgjithësisht, efektet anësore të kësaj vaksine janë të vogla, të paktën ato që njohim, efektet anësore afatshkurtra. Nuk kemi dijeni ende për efektet anësore afatgjata, sepse vaksina është relativisht e re. Bëhet fjalë për dhimbje, për skuqje, ndonjëherë të përziera, të vjella, por që unë nuk i pata. As personat që janë vaksinuar deri tani nuk i kanë pasur”, u shpreh Pipero.