Hoti paralajmëron vendosje të reciprocitetit me Serbinë: Dialogu të përfundojë me marrëveshje

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti, paralajmëroi Serbinë me vendosje të reciprocitetit të plotë nëse dështon arritja e marrëveshjes për njohje reciproke. Gjithashtu theksoi se do të bëhet një lobim ndërkombëtar në ndihmë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Marrëveshje me njohje reciproke ose Kosova do t’i vendosë reciprocitet të plotë Serbisë. Është ky paralajmërimi i lëshuar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, pas një takimi me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës. I pyetur se si do të veprojë Kosova në rast se Serbia ndalon librat që Kosova do t’i dërgojë Luginës, ai pati këtë përgjigje.

 “Çdo masë që Serbia e drejton kah ne, ne kemi të drejtë dhe do ta drejtojmë kah Serbia. Po unë besoj që me përfshirjen e partnerëve ndërkombëtar që kemi arritur në këtë proces, nuk do të kemi nevojë të shkojmë në këto ekstreme, por besoj që çdo ditë po bëjmë progres drejt marrëveshjes përfundimtare.”

Hoti shtoi se së shpejti do të nisë një fushatë sensibilizuese dhe lobuese tek partnerët ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kryeministri njoftoi se kjo do të nisë pas një studimi socio-ekonomik për këtë zonë që gjendet nën administrimin e shtetit serb. Ai përjashtoi mundësinë që takimi me përfaqësuesit e Luginës të ketë konotacion fushate. Duke qëndruar tek zgjedhjet e parakohshme, që mbahen më 14 shkurt, Hoti bëri me dije se Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë e vetme.

Një koment pati edhe për vizitën e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, në Bruksel.

“Nuk e di me çfarë agjende ushtruesja e detyrës është në Bruksel, është çështje e saj. Sa i përket procesit të dialogut, Kushtetuta e bën të qartë kush i ka kompetencat në këtë drejtim. Ne kemi zhvilluar deri më tash këtë proces të dialogut mbi parime shumë të qarta kemi bërë progres dhe tash si qeveri duhet të presim përmbylljen e procesit zgjedhor për të parë sesi të vazhdohet më tutje.”

I pyetur lidhur me bashkimin e mundshëm të Luginës së Preshevës me Kosovën në rast se LDK do të jetë në pushtet, Hoti tha se duhet menduar për integrimin mbarëshqiptar.