Merkel kundër pezullimit të Twitter për Trump: Vendim problematik, kufizimet duhet t’i bëjë legjislatori

merkel twitter trump 1100x620

Vendimi i Twitter për të përjashtuar përgjithmonë profilin personal të Donald Trump mori pëlqimin e një pjese të mirë të opinionit publik, por kundërshtohet nga të tjerë, që e cilësojnë atë si një kufizim të lirisë së shprehjes.

Këtyre të fundit i bashkohen së fundmi edhe dy mendime “me peshë”, veçanërisht ai i kancelares gjermane Angela Merkel, që cilësoi si “problematik“ vendimin e Twitter ndaj atij që mban ende postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.  

Sipas zëdhënësit të saj, Steffen Seibert, “mund të ndërhyhet në lirinë e të shprehurit, por vetëm në bazë të kufizimeve të dhëna nga legjislatori, dhe jo me një vendim të menaxherëve të kompanisë. Kjo është arsyeja pse kancelarja e cilëson si problematik vendimin për të mbyllur në mënyrë definitive profilin e presidentit amerikan”.

Mendimi i Merkel pason atë të ministrit francez të Ekonomisë, Bruno La Maire, i cili kishte kritikuar vendimin e Twitter sepse “më skandalizon fakti që rregulloren e gjigantëve digjitalë ta bëj vetë oligarkia digjitale, që është një nga rreziqet më të mëdha për shtetet dhe demokracitë”.

Twitter vendosi të mbyllë profilin Twitter të Donald Trump të premten, duke e akuzuar atë për një seri shkeljesh, që më së shumti kanë të bëjnë me lajme të rreme,  dhe së fundmi për thirrjet e tij të cilësuara si të dhunshme.