Ministri i Jashtëm turk konfirmon: Rama nismëtar, jam gati për takimin me Dendias

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Athinës dhe Ankarasë pritet të kalojë nga Tirana. Edi Rama është ndërmjetësi i dy shteteve për t’u ulur në tryezën e dialogut.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka deklaruar në një konferencë për shtyp, se kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër iniciativën për një takim të përbashkët mes kryediplomatit turk dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë.

Ministri turk deklaroi se ka zhvilluar edhe një telefonatë me Ramën për këtë dhe është i gatshëm të takohet me homologun grek.

“Kemi pasur dhe një bisedë paraprake më 11 janar, por asgjë nga ana e Greqisë nuk ka ndodhur për ta bërë konkrete. Me iniciativë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me të cilin kam pasur dhe një telefonatë, jam i gatshëm që t’i përgiigjem ftesës për vizitë dhe me këtë rast, në Tiranë të zhvilloj takimin edhe me ministrin grek Dendias. Duhet ta shfrytëzojmë këtë si një mundësi të mirë për temat e mbetura pezull. Athina nuk ka ndonjë justifikim dhe ne jemi gati të negociojmë”, tha Cavusoglu.

Burime zyrtare të Kryeministrisë në Tiranë, të kontaktuara nga A2, konfirmuan saktësinë e deklaratës së ministrit turk, por nuk saktësuan një datë se kur pritet të zhvillohet ky takim.

Javën e shkuar Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi ku u prit nga Presidenti Rexhep Taip Erdogan dhe fill pas Ankarasë, kreu i ekzekutivit shqiptar zbriti në Athinë për të zhvilluar dy takime, me homologun grek dhe me ministrin e Jashtëm,  Nikos Dendias.