Përmbytjet në Shkodër, Voltana Ademi: Deri tani i kemi përballuar me fondet e mundësitë tona

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ishte e ftuar në Ditarin e mesditës në A2, ku dha detaje për situatën e krijuar nga përmbytjet dhe moti i keq në territorin që ajo mbulon.

Pasi bëri një rezyme të situatës, Voltana Ademi u shpreh se situata është disi më e keqe nga një ditë më parë dhe sipërfaqja nën ujë në këtë bashki është zgjeruar më tej.

“Ka një përkeqësim të situatës që në mëngjes. Hidrometrat në Drin, Bunë, Dajç dhe liqen janë rritur dhe kjo impakton në fushë dhe në fshatra. Sipërfaqja e dëmtuar ka arritur në 1800 ha tokë, ku pjesa më e madhe ndodhet në njësitë Ana e Malit, Dajç, Rrethina, Guri i Zi. Ka prezencë uji në oborret e banesave në Obot e Oblik. Sot, kemi furnizuar me ujë të paketuar 70 familje në Obot. Vijojmë në lagjen e “Pallateve” në Oblik dhe njësi të tjera. Po bëhet përllogaritja e dëmeve duke informuar Prefekturën dhe ministritë përkatëse”, tha kryebashkiakja.

Sipas Voltana Ademit, deri në këto momente situata është menaxhuar me fondet dhe burimet njerëzore të bashkisë së Shkodrës dhe shtoi që qeveria duhet të alokojë pjesën tjetër të parave që u miratuan në Kuvend për emergjencat civile.

“Deri në tani, e kemi përballuar me burimet tona, nuk kemi pasur diçka shtesë nga ministritë. Kemi gati 300 shtretër në 4 godina që kemi vënë në dispozicion dhe kemi ushqime për rreth 1000 familje për 2 muaj. Kemi pasur një ndihmë me FA. Ata kanë vënë në dispozicion mjetin e tyre. Por, deri tani e kemi menaxhuar vetë.

Ne kemi funksionalizuar në kohë buxhetin për përmbytjet. Fondet e parashikuar për emergjencat civile duhet ta kalojnë më parë. Kjo duhet të ishte në vëmendjen e kreut të emergjencave. Për të tjerat do të dua të vazhdojë ajo që është miratuar në Kuvend, për të alokuar fondet. Ne kemi një plan për emergjencat. Kjo është një eksperiencë e mirë e bashkisë. Do të duhet të mendojmë dhe për atë që do të shkaktohet nga bora në ditët në vijim”, shtoi Ademi.