Përmbytjet në Sukth, Basha: Kriminale që ministrat shtrohen në restorante luksoze

Kryedemokrati Basha ishte në Sukth të Durrësit, ku takoi disa banorë që janë dëmtuar nga reshjet e ditëve të fundit. Banorët u ankuan se investimet në kanale janë lënë përgjysmë gjë që ka sjellë edhe vërshimin e ujërave në pronat e tyre.

Ndërsa, Basha e quajti kriminale që në një situatë të tillë, ministrat e qeverisë frekuentojnë restorantet më të shtrenjta të botës.

“Ndërkohë që ju jeni në këtë situatë pa ujë, të përmbytur ministrat e qeverisë shtrohen për shtat palë qejfe në restorantet më luksoze të Emirateve. Kjo është kriminale, është e papranueshme. Duhet një qeveri të mendojë për njerëzit jo një qeveri që mendon për veten, sepse ky vend nuk është i varfër, ky vend është i vjedhur, siç e the dhe vetë. Nuk ka asnjë pengesë në shtet dhe në qeveri që mendon për ju ta bëjë investimin deri në fund jo ta lërë përgjysmë, po kur mendon për vete, gjysmën e vjedh, e bën punën përgjysmë, dhe ja se si përfundon pastaj, kush e paguan faturën, e paguani ju. Nuk ka asnjë arsye që në situatë emergjence mos t’iu vijë ndihma e ujit të pijshëm, apo me ato që mund të kenë nevojë disa familje, mund të kenë nevojë për medikamente”, tha Basha.