Po përballet me shpërthimin e ri të koronavirusit, Kina teston 17 milionë njerëz

1 20 1100x620

Provinca e Hebei në Kinë përfundoi një program testimi masiv në një përpjekje për të frenuar shpërthimin e ri të koronavirusit, në vend.

Rreth 17 milionë njerëz u testuan, më shumë se 10.2 milionë prej tyre në kryeqytetin e provincës Shijiazhuang dhe 6.7 milionë në qytetin Xingtai, sipas Agjencisë Shtetërore të lajmeve Xinhua.

Testimi masiv filloi të mërkurën e kaluar pasi të dyja qytetet raportuan përhapjen më të madhe lokale në territorin e Kinës për muaj me radhë.

Të dielën, provinca Hebei raportoi 82 raste të transmetuara lokalisht Covid-19, sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit të vendit.

Ndërkaq, javën e kaluar, Kina izoloi Shijiazhuang, duke vendosur disa nga masat më të rrepta që nga muaji mars. Banorëve nuk iu lejohet të largohen nga qyteti dhe iu kërkua të vetëkarantinohen në shtëpi për shtatë ditë pasi kryen testin e detyrueshëm Covid-19. Transporti publik është pezulluar, autostradat kryesore janë bllokuar dhe fluturimet janë anuluar.