Promovimi në politikë, Rama ndryshon qasje: Nuk mjafton dija për t’u bërë deputet

Afrimi i datës së zgjedhjeve ka rritur ritmin në Partinë Socialiste për të përzgjedhur kandidatët për deputetë. Ky proces zgjedhor do të jetë ndryshe nga të mëparshmit, ku qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin jo vetëm partinë, por edhe kandidatin e preferuar. 

Në kërkim të një mandati të tretë, Edi Rama duket se ka mësuar nga përzgjedhjet që ka bërë në dy mandatet e para, ku shpeshherë pa preferuar të promovojë njerëz pa të shkuar politike. 

Gjatë një aktiviteti në selinë rozë, me pjesëmarrësit e kualifikuar të platformës “Deputeti që Duam”, Rama dha mesazhin e qartë se një CV e mirë nuk përkthehet në kandidim për deputet, ndonëse më herët promovoi ministra me arsyetimin se ishin të lexuar.

“Nga CV, nga dija, dhe eksperienca që ke, te përfaqësimi publik, është një rrugë aspak e lehtë. Mund të dish shumë, mund të kesh një eksperiencë të madhe, mund të jesh jashtëzakonisht i zoti për të shkruar, për të bërë analiza, për të hartuar raporte, mund të jesh një këshilltar i shkëlqyer për një deputet, por nuk do të thotë që të jesh i gatshëm për të qenë deputet”, tha Rama.

Këto qëndrime të kryeministrit duken kontradiktore me ato të dhjetorit 2018 kur në qeveri futi 3 ministra, Gent Cakajn, Sandër Lleshajn dhe Besa Shahinin, që nuk vinin nga radhët e partisë, por që CV-ja e tyre ishte mbresëlënëse për kryeministrin.

Sipas të dhënave të PS-së, rreth 1600 persona u bënë pjesë e kësaj platforme në fazën e parë dhe një pjesë u skualifikua.