Sporti i golfit i kthen shpinën Trump pas trazirave në Kapitol

donald trump 1100x620

Kampionati PGA i golfit për vitin 2022 nuk do të luhet në një prej fushave në pronësi të Donald Trump.

Vendimi u mor nga Këshilli Drejtuesi i Shoqatës Profesioniste të Golfit në Amerikë, pas mësymjes së mbështetësve të ish-presidentit në Kapitol gjatë mesjavës së kaluar.

Njoftimi u dha nga presidenti i PGA, Jim Richerson, i cili saktësoi se bordi ushtroi të drejtën e tij “për t’i dhënë fund marrëveshjes” me fushën Trump National në Bedminster, në shtetin e Nju-Xhersit.

“Jemi në një situatë politike, të cilën nuk e kemi nisur ne. Pas ngjarjeve tragjike të së mërkurës së kaluar Kapitol, nëse do të luanim në Bedminster do ta kishim të pamundur të ruanim marrëdhënien e besimit me anëtarët, sportin e golfit dhe markën tonë”, tha Richerson, sipas të cilit “dëmi do të ishte i pariparueshëm dhe largimi ishte zgjidhja e vetme”.

Shoqata Profesioniste e Golfit në Amerikë ishte nën presion nga i gjithë opinioni, i cili i kërkonte distancimin nga çdo lloj forme e dhunës dhe nga personat që i kishin nxitur ngjarjet e dënueshme, me në krye ish-presidentin Donald Trump. Pas vendimit të PGA-së, çështja pritet të përfundojë në gjykatë.

Grupi Trump reagoi menjëherë me një deklaratë për shtyp, duke shprehur “habi dhe zhgënjim” për vendimin e anulimit të kampionatit, duke theksuar se vendimi i marrë nga Shoqata e Golfit Profesionist është një shkelje flagrante e kontratës, pasi në fushën e Bedminster janë investuar miliona dollarë për kampionatin 2022 të golfit.