Vendimi për bashkatdhetarët, Osmani letër KQZ-së: Shkelet e drejta e votës, cenohet besueshmëria e procesit

KR VJOSA HOTI KRITIKAT frame 991 1100x620

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të KQZ-së në Kosovë. Në një letër drejtuar kryetares së KQZ-së, ajo thotë se e drejta e votës është e garantuar në kushtetutë, ndërsa me vendimin e sotëm të KQZ-së, ajo shkelet në mënyrë flagrante.

“KQZ-ja ka nxjerrë një vendim me të cilin do të bëhet verifikimi i aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Nëpërmjet këtij vendimi, KQZ-ja ka vendosur të refuzojë aplikacionet e bashkatdhetarëve tanë në rast se nuk lajmërohen me telefon në kohën e telefonimit nga KQZ-ja. E drejta e votës është e drejtë fondamentale, e garantuar me Kushtetutën tonë dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Si e tillë, e drejta e votës është e drejtë e patjetërsueshme e cila nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë. Ky vendim i KQZ-së, e specifikisht pika IV e tij, mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante”.

Sipas Osmanit, një vendim i tillë cenon besueshmërinë e procesit dhe krijon vonesa në certifikimin e zgjedhjeve.

“Një vendim i tillë mund të na shkaktojë dëme të mëdha në procesin që na pret, duke cenuar besueshmërinë dhe do të krijonte vonesa në certifikimin e zgjedhjeve”, thuhet ndër të tjera në letër.

Osmani kërkon nga kryetarja e kQZ-së që të rishqyrtojë vendimin.