Zgjedhjet në Kosovë, rreth 1 milion euro në dispozicion të partive për fushatë

Çdo parti politike në Kosovë do të ketë në dispozicion nga rreth 1 milion euro për fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Njoftimi erdhi nga kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila bëri të ditur se të drejtë vote do të kenë mbi 1.8 milionë qytetarë të Kosovës. Gjithashtu, sqaroi mënyrën se si do të votojnë qytetarët që jetojnë jashtë territorit.

“Partitë politike kanë të drejtë të shpenzojnë 934 mijë e 831 euro gjatë fushatës zgjedhore. Nga një email adresë aplikuesi mund të aplikojë për veten dhe rrethin e ngushtë familjar që kanë të njëjtin mbiemër. Në formularët e aplikimit për regjistrim aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari. KQZ do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit, kjo është me rëndësi të cekët, nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.”