Dilema për vaksinën, cili është realiteti në Shqipëri?

Dilema për vaksinën cili është realiteti në Shqipëri 1100x620
FOTO: LSA

Verifikim i fakteve mbi vaksinimin anti-Covid në Shqipëri

Në Shqipëri nisi të hënën vaksinimi kundër Covid-19. 308 ditë pas identifikimit të dy rasteve të para me virusin Sras-Cov-2 dhe 15 ditë pas vendeve të Bashkimit Europian, në stadiumin “Air Albania” u vaksinuan 48 mjekë që shërbejnë në spitalet Covid. Shefja e Shërbimit të Spitalit Infektiv, Najada Çomo dhe kryeministri Edi Rama ishin të parët që morën vaksinën e Pfizer/BionTech në praninë e kamerave. Procesi vijoi të martën me vaksinimin e 60 pjesëtarëve të stafit mjekësor, kryesisht epidemiologë dhe infermierë.

Nga e mori Shqipëria vaksinën?

Më 29 tetor 2020, në seancën plenare në Kuvend u vendos një financim me rreth 4 milionë dollarë për vaksinimin e rreth 20 për qind të popullsisë. Por mbetet e paqartë se nga vijnë dhe kush po paguan për dozat e para të vaksinave.

Kryeministri nuk e bëri publik vendin që kishte dhuruar vaksinat dhe as bëri me dije se ku ato po ruheshin. Rama u mjaftua vetëm me faktin se vaksinat vinin nga një vend mik i BE-së, duke mohuar të ishte Greqia. “Dhe vendet e tjera kanë kërkuat konfidencialitet. Kërkojnë konfidencialitet, pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, se këto që e bën për Shqipërinë nuk do që tre apo katër, dhjetë vende të tjera t’i thonë bëje dhe për ne. Pse e bën për Shqipërinë? S’më takon mua t’ua them, por një nga arsyet është se keni Edi Ramën kryeministër”, tha Rama.

Çfarë thotë Pfizer?

A2 CNN, më herët ka pyetur Pfizer lidhur me vaksinat e saj, takimet me kryeministrin Rama, mundësinë e një marrëveshje dhe kushtet e saj. “Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë vaksinën në ndihmë të shëndetit publik botëror. Ne do të punojmë ngushtë me qeveritë, përfshirë Shqipërinë, për të garantuar aksesin te vaksina. Diskutimet me qeverinë shqiptare janë konfidenciale. Nuk kemi ndonjë gjë për të thënë për tani”, thuhej në përgjigjen e zyrës së komunikimit me median të Pfizer / BioNTech.

Çfarë po ndodh me “fondin e të varfërve” në OBSH?

Me qëllim garantimin, qoftë edhe pjesor të vaksinës për vendet e varfra, Organizata Botërore e Shëndetësisë krijoi COVAX, aleancën për shpërndarjen e drejtë të vaksinës. Më 22 shtator 2020, qeveria shqiptare mori vendimin për t’u angazhuar financiarisht nëpërmjet mekanizmit COVAX. Duke qenë se kjo platformë po krijonte vonesa në sigurimin e vaksinave, disa vende filluan të kërkonin negociata të drejtpërdrejta me kompanitë prodhuese të vaksinave anti-Covid.

Si nisi gara rajonale për vaksinën?

Serbia nisi procesin e vaksinimit kundër Covid-19 më 24 dhjetor 2020, 3 ditë para se të niste në vendet e Bashkimit Europian. Serbia siguroi vaksina nga Pfizer / BioNTech dhe Sputnik V, vaksina ruse. Kryeministri Edi Rama njoftoi më 5 dhjetor se po shkonte në SHBA me qëllim sigurimin e vaksinave anti-Covid.

Gati një muaj nga udhëtimi në SHBA, në ditën e parë të vitit 2021, kryeministri Edi Rama njoftoi se ishte arritur tashmë marrëveshja me kompaninë amerikane Pfizer për 500,000 vaksina kundër Covid-19.

Më 28 dhjetor 2020, institucionet diplomatike të Rusisë, i ofruan Shqipërisë mundësinë për sigurimin e vaksinave Sputnik V, por ftesa u refuzua nga pala shqiptare.

Rama njoftoi gjithashtu se dy vende partnere strategjike të Shqipërisë, emrat e të cilëve nuk i bëri me dije kishin premtuar dhënien e 9000 dozave vaksinë, sasi e cila do vinte në gjysmën e parë të janarit. Ai shtoi se një pjesë e sasisë së vaksinave të siguruara do t’i jepeshin Kosovës.

Çfarë po ndodh me vaksinimin në vendet e Ballkanit?

Katër ditë nga shprehja e gatishmërisë së Ramës për të ndihmuar, qeveria e Kosovës premtoi gjithashtu, 500 000 vaksina nga Pfizer. Gjithashtu, Ministri i Shëndetësisë së Kosovës në largim, Armend Zemaj tha se Kosova do të marrë nga mekanizimi Covax edhe 360 000 vaksina falas.

Edhe vendet e tjera të Ballkanit po punojnë për marrjen e vaksinave. Më 9 tetor 2020, Mali i Zi firmosi një marrëveshje për të paguar 646,000 euro për 248,800 doza vaksinë, me qëllim mbulimin e 20 për qind të popullsisë.  Maqedonia e Veriut arrit gjithashtu një marrëveshje për 800,000 doza vaksinë kundrejt 6.7 milionë eurove. Kosova, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia janë pjesë e aleancës COVAX. Bashkimi Europian ka miratuar deri më tani dy vaksina, BioNTech-Pfizer dhe Moderna ndërsa pritet që së shpejti të lejohet edhe ajo e Oxford /AstraZeneca.

Si po vaksinohet Bashkimi Europian?

Procesi i vaksinimit kundër Covid-19, në 27 vendet e Bashkimit Europian, nisi më 27 dhjetor 2020, 289 ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë Covid-19. Që prej 11 marsit 2020, ditën kur OBSH-ja e klasifikoi Covid-19 si pandemi, miliona qytetarë u infektuan, pjesa më e madhe e tyre u shëruan, ndërsa mijëra të tjerë humbën jetën nga shkaqe të lidhura me virusin Sars-Cov-2. Deri në fund të dhjetorit 2020, rreth 12,5 milionë doza të vaksinës anti-Covid, prodhuar nga bashkimi i kompanisë amerikane “Pfizer” dhe asaj gjermane “BioNTech” u shpërndanë në 24 vendet e Bashkimit Europian.

Nga ndryshojnë vaksinat nga njëra-tjetra?

Vaksina e Pfizer / BioNTech duhet të ruhet në një temperaturë prej -80 gradë celsius ndërsa ajo e Modernas mund të ruhet në një temperaturë prej -20 gradë. Vaksina e Moderna-s mund të ruhet për pot 30 ditë në frigorifer ndërsa vaksina e Pfizer për pesë ditë.

Pfizer dhe Moderna përdorin teknologjinë e njohur si ARN-s, kjo do të thotë që një pjesë e kodit gjenetik të koronavirusit injektohet në trup. Moderna ka deklaruar se një dozë e saj do të kushtojë 21 euro, në krahasim me vaksinën Pfizer, e cila raportohet se do të kushtojë rreth 15 euro. Sipas të dhënave nga Pfizer mbi vaksinat, një flakon përmban 5-6 doza dhe duhet përdorur brenda 2 orësh nga hapja.

A paraqesin rrezik teoritë konspirative ndaj vaksinimit?

Një vrojtim i muajit dhjetor 2020, realizuar nga Balkans in Europe Policy Advisory Group (BEPAG), rezulton se në rajonin e Ballkanit, gati 80% e të anketuarve besojnë në një apo më shumë prej teorive konspirative që lidhen me Covid-19. Shqipëria renditet e para në numrin e të intervistuarve që kanë besim të fortë ndaj teorive të komplotit.

Një sondazh i muajit dhjetor 2020 nga Radio Evropa e Lirë në Kosovë, gjeti se 56% të të anketuarve do të refuzonin ta merrnin vaksinën. Për momentin, nuk ka një vrojtim të ngjashëm për Shqipërinë. Por të dhënat e BEPAG, të kombinuara me rezistencën anti-vaksinë në Kosovë ngrenë një rrezik të mundshëm që edhe Shqipëria të mos paraqitet më mirë se Kosova në këtë aspekt.

Për këtë arsye, vaksinimin e tij “jashtë liste” kryeministri Edi Rama e justifikoi me qëllim “dhënien mesazhit e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurt, por është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm”.

“Dokrrat me çipa e manipulime gjenesh janë qesharake. E kanë bërë edhe kolegë të mitë, do ta bëj edhe unë. Anëtarët e kabinetit qeveritar janë si gjithë të tjerët dhe nuk kanë pse të dalin në radhë para mjekëve, policëve, mësuesve dhe të moshuarve. As unë nuk do të duhej, por meqë kemi në vend një grup konspiracioni, do ta bëj. Nuk do të doja t’i zija radhën askujt, por do ta bëj sot patjetër vetëm për këtë arsye”, tha Rama.

Megjithatë, mbetet e paqartë sesi refuzimi i kryeministrit për të treguar se ku mbahet vaksina dhe se cili ishte shteti dhurues, mund të ndikojë dyshimet dhe besëtytnitë mbi vaksinën.