Grabitën kambistin, arrestohet një prej autorëve

koronavirusi ne shqiperi policia kufizimi i levizjes 1100x620
Foto ilustruese

Policia e Korçës ka arritur të zbardhë ngjarjen e një dite më parë, ku 3 shtetas i vodhën me dhunë një kambisti 4 milionë lekë.

Policia ka arritur të vërë në pranga një prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, ndërsa është identifikuar dhe shpallur në kërkim njëri nga bashkëpunëtorët.     

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 11.01.2021, në lagjen nr. 1 të qytetit të Korçës, ku tre shtetas i vodhën me dhunë një sasi prej 4.000.000 lekësh, shtetasit Sh. M., 57 vjeç, para banesës së tij, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Ç., 42 vjeç, banues në Durrës, si edhe shpallën në kërkim shtetasin M. A., 33 vjeç, banues në Korçë.

Nga ana e Policisë po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tretë të dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje, për ndalimin e 33-vjeçarit M. A., vënien përpara përgjegjësisë ligjore të tyre, si edhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, bën të ditur policia.