Inflacioni ra në 1.1%, konsumi i dobët edhe gjatë festave të fundvitit

fruta 1100x620

Inflacioni ra në muajin dhjetor në nivelin më të ulët të vitit, duke reflektuar një stepje të fortë të konsumit. Instituti i Statistikave raporton se indeksi i çmimeve u rrit me vetëm 1.1%, ndikuar vetëm nga ushqimet dhe shtrenjtimi i qirave, ndërsa çmimet e veshjeve vazhduan rënien.

Ky tregues flet për një largim nga blerjet masive edhe gjatë periudhës së festave, më pak ushqim në tryezën e fundvitit dhe më pak dhurata për familjarët.

Sipërmarrjet kishin pritshmëri të larta për muajin dhjetor, kur realizojnë një pjesë të rëndësishme të xhiros vjetore. Por të ardhurat e munguara të konsumatorëve dhe pasiguritë që rrjedhin nga kriza shëndetësore, shkaktuan këtë rënie të fortë të konsumit.

Një situatë që institucionet zyrtare presin të vijojë edhe përgjatë muajve të parë të këtij viti.