Mbi 375 mijë viktima në SHBA, probleme e kritika lidhur me fushatën e vaksinimit

Nju-Jorku, qyteti që nuk fle kurrë, tani ofron vaksina koronavirusi 24 orë në ditë, duke zgjeruar listën e atyre që mund ta marrin. Qëllimi është imunizimi i 175 mijë personave të tjerë deri në fund të javës. 

“Ndihemi shumë mirë lidhur me qëllimin për të vaksinuar 1 milion njerëz përgjatë muajit janar”, u shpreh kryebashkiaku Bill de Blassio.

Në rang kombëtar, rreth 35 për qind e vaksinave të shpërndara apo rreth 9 milionë doza, janë aplikuar te qytetarët.

“Ajo që duhet të bëjmë, është të heqim dorë nga sistemi prioritar. Vaksina duhet të jetë e disponueshme për të gjithë”, tha Jonathan Reiner nga Universiteti George Washington.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden mori dozën e dytë të vaksinës, mes shqetësimeve në rritje, mbi disponueshmërinë e dozave të dyta. 

E ndërsa vaksinimi paraqitet një sfidë, virusi vijon të përhapet. Përqindja e pozitivitetit e kaloi 10 për qind në 32 shtete, ndërsa qëllimi ka qenë të ruhej në më pak se 5 për qind. Vetëm 3 shtete janë poshtë këtij pragu.

Mbi 100 mijë pacientë janë të shtruar në spital për të 40-n ditë radhazi. Mes shteteve që kanë arritur rekorde të reja sërish, janë Teksasi dhe Arizona.

Shtetet e Bashkuara po raportojnë tani një mesatare ditore prej më shumë se 3200 vdekjesh. Kjo nënkupton se çdo ditë shënohen më shumë viktima sesa ato të sulmeve të 11 shtatorit, 20 vite më parë.