Ndryshon kalendari, Formula 1 nis nga Bahrejni, gara e Australisë në nëntor

formula1 1100x620

Edhe pse u shpresua se këtë vit situata me pandeminë do të ishte ndryshe, kalendari i Formula 1 nis të cungohet 3 muaj përpara startit.

Për herë të parë në 26 vite, Botërori i garave të shpejtësisë, nuk do të nisë nga Australia. Gara në kontinentin e largët është spostuar për më 21 nëntor, duke bërë që sezoni të nisë prej Çmimit të Madh të Bahreinit, në datën 28 mars.

Pas kësaj gare, Formula 1 zhvendoset në Imola të Italisë, që i rikthehet kalendarit në muajin prill. Gara e tretë e sezonit, ndërkohë, nuk është përcaktuar ende nga organizatorët se ku do të zhvillohet. Kina ka qenë tradicionalisht gara e tretë e Botërorit, por këtë herë vendi aziatik e ka në pikëpyetje zhvillimin e “Çmimit të madh të Shanghait” për shkak të masave të pandemisë.

Vitin e kaluar, gara në Kinë ishte e para që u anulua dhe diçka të tillë autoritet e këtij vendi po përpiqen ta shmangin duke kërkuar një shtyrje të garës për në vjeshtë. Zhvendosjet e kryera së fundi ndryshojnë edhe datat e garave të Brazilit, Arabisë Saudite dhe Abu Dhabit. Gjithsesi, numri i garave do të jetë shumë i lartë se një vit parë në Formula 1 dhe shumë vende duke parë edhe zhvillimet me Covid-19, shpresojnë të kthejnë dhe tifozët në numër të kufizuar nëse do të jetë mundësia.