“Nxitje të kryengritjes”, demokratët prezantojnë akuzën për shkarkimin e Trump

Rezoluta për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, u prezantua zyrtarisht në Kongres. Nën masa të rrepta sigurie në Capitol Hill të Uashington DC, demokratët bënë shtysën e radhës kundër 74-vjeçarit në ditët e fundit në drejtim të Shtëpisë së Bardhë duke e akuzuar për “nxitje të kryengritjes”, për rolin e tij në trazirat e së mërkurës së kaluar.

Rezoluta u bllokua nga një ligjvënës republikan nga Virxhinia Perëndimore vetëm 15 minuta pas nisjes së seancës. Me anë të atij dokumenti, demokratët i kërkojnë nënpresidentit, Mike Pence, që të mbledhë kabitetin e Shtëpisë së Bardhë në një takim për të shkarkuar Trump nga detyra me anë të amendamentit të 25-të, të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ligjvënësit do të mblidhen sërish gjatë së martës, në Dhomën e Përfaqësuesve, për të votuar rezolutën. Një ndër arsyet që citohen në mbështetje të shkarkimit të Trump është dhe telefonata e tij me zyrtarin e shtetit të Xhorxhias, të cilit presidenti i kërkonte që të gjente vota mjaftueshëm për të kthyer rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet të fituar nga Joe Biden.

“Në gjithë këtë, presidenti Trump ka rrezikuar rëndë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të institucioneve të Qeverisë. Ai kërcënoi integritetin e sistemit demokratik, ndërhyri në tranzicionin paqësor të pushtetit dhe dëmtoi një degë të qeverisë”, thuhet në rezolutë.

Gjithashtu, citohet edhe amendamenti i 14-të i kushtetutës, që i “ndalon çdo personi që është angazhuar në nxitjen e një kryengritje apo rebelimi ndaj Shteteve të Bashkuara të mbajë një detyrë zyrtare”.