Oboti nën ujë, Voltana Ademi: Dëmi është i madh, problem ushqimi për gjënë e gjallë

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka vizituar sërish njësinë administrative të Anës së Malit, ku ka parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në fshatin Obot, i cili tashmë është i rrethuar nga uji.

Ademi bisedoi me banorët e zonës, të cilët e informuan kryebashkiaken me shqetësimet e tyre për bazën ushqimore për gjënë e gjallë, por edhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në tokat bujqësore të mbjella.

Kryetarja Ademi theksoi se Bashkia ka tashmë të siguruara në magazinat e saj ushqime për 1000 familje për një periudhë 2-mujore. Po ashtu, është realizuar furnizimi me ujë të pijshëm të paketuar për familjet në zonën e përmbytur. Kryebashkiakja tha se duhet siguruar baza ushqimore për gjënë e gjallë dhe për këtë duhet furnizim nga Rezervat e Shtetit dhe Ministria e Bujqësisë, ndërsa Bashkia do të veprojë me fondet e saj sapo të çelet Thesari.

“Nuk kemi dëmtime në banesa. Uji është prezent në oborret e shtëpive. Situata është pak më e rënduar nga mbrëmë. Ka shkarkime nga kaskada. Ka rritje në lumin Drin për shkak të prurjeve. E gjithë kjo situatë bëhet e rrezikshme për shkak të papashikueshmërisë për ditët e ardhshme. Kemi furnizuar banorët me ujë të pijshëm. Janë rreth 1900 ha tokë e mbjellë me kultura të ndryshme të shkatërruara. Nëse do të kishim një ikje të ujit për 3-4 ditë mund të kishte rikuperim. Nuk është çështja për ushqime për banorët. Problem është gjëja e gjallë. Nuk është vetëm për sot, por edhe për ditët në vijim. Ne kemi parashikuar dhe depozituar ushqime për 1000 familje për një periudhë 2 muaj”, u shpreh Ademi.

Për masën e madhe të dëmeve të shkaktuara, është e pamundur që banorët të dëmshpërblehen, por shteti duhet të mundësojë subvencione për banorët, qoftë për gjënë e gjallë, por edhe produktet bujqësore të cilat tashmë janë të dëmtuara dhe nuk mund të rikuperohen.

  • LAJMI I FUNDIT | Absolut 4, Opozita në zgjedhje
  • LAJMI I FUNDIT | I ftuar: Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane
  • LAJMI I FUNDIT | Absolut 4, Opozita në zgjedhje