Pandemia në Europë, Gjermania me kufizime të forta deri për Pashkë

Pandemia e koronavirusit po vendos në vështirësi autoritetet Gjermane, veçanërisht sistemin shëndetësor. Për të luftuar këtë impakt, kancelarja Angela Merkel paralajmëroi 8 deri në 10 javë me kufizime të forta, sipas medias së njohur Bild.

Raportohet se liderja gjermane u ka thënë zyrtarëve se nëse varianti britanik i Covid-19 nuk mbahet nën kontroll, do të ketë një rritje 10 fish të rasteve deri për Pashkë. Në 24 orët e fundit, Gjermania konfirmoi 12 800 të infektuar dhe 891 jetë të humbura për shkak të koronavirusit dhe aktualisht renditet ndër shtetet europiane me situatën më të rëndë nga pandemia.

Alarmuese paraqitet gjendja në Irlandë, që së fundmi raportoi numrin më të lartë të rasteve me Covid-19 për 1 milion banorë. Televizioni publik RTE tha se 13 spitale të vendit kanë deklaruar se nuk kanë asnjë vend të lirë në pavijonet e përkujdesjes intensive.

Megjithatë, rastet e reja po tregojnë një trend në rënie dhe ekspertët e shëndetësisë në Irlandë theksuan se ka shenja që vendi po nis të kthejë kurbën e infeksioneve.

Teksa ka nisur dhe shpërndarja e dozave të para të vaksinës së zhvilluar nga kompania amerikane Moderna në Europë, Greqia ka paraqitur një propozim. Kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, i kërkoi Bashkimit Europian që të mbështesë lëshimin e një certifikate paneuropiane për të garantuar lëvizjen e lirë për ata persona që janë imunizuar ndaj koronavirusit.

Ndërkohë, presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, rezultoi pozitiv me Covid-19 dhe anuloi të gjitha aktivitetet. 72-vjeçari është asimptomatik dhe infektimi erdhi vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të 24 janarit.