Raporti tragjik, më shumë se 9 mijë foshnje kanë vdekur në shtëpitë e “nënave me fëmijë”

Tre mijë faqet e një raporti të detajuar të sapo dalë, kanë hedhur dritë mbi një nga ngjarjet më tragjike të historisë së Irlandës, dhe jo vetëm.

Raporti i qeverisë irlandeze fokusohet tek të ashtuquajturat “shtëpi të nënave me fëmijë”, institucione të financuara nga qeveria dhe Kisha Katolike që për rreth 80 vjet, deri në vitin 1998 kur u mbyllën zyrtarisht, kanë strehuar për periudha të ndryshme kohore dhjetëra mijëra femra, edhe në moshë të mitur, të cilat kishin mbetur shtatzënë nga një lidhje jashtëmartesore.

Një “mëkat” i padurueshëm, në mentalitetin e një shoqërie konservatore si në Irlandën e atyre viteve, që kishte nevojë për vende ku ky “turp” të “lahej” me heshtje, punë, por edhe me abuzime që kulmonin deri në krime të mirëfillta.  

Sipas raportit, këto “shtëpi” shpesh herë shërbenin edhe si agjenci birësimi për çiftet e shumta që kishin nevojë, shpesh herë edhe në mënyrë të fshehtë.

Abuzimet fizike dhe psikologjike mbi më shumë se 56 mijë gra të pamartuara, dhe që përshkruhen në raport, bien në hije nga shifrat e vdekshmërisë të foshnjave të pafajshme në ato institucione.

Sipas raportit, rreth 9 mijë foshnje kanë humbur jetën në 18 institucionet e shpërndara në të gjithë vendin. Asgjë nuk bëhej praktikisht për të ndihmuar të shtatzënën,  dhe kush mbijetonte mund ta quante veten shumë me fat.  Varre masive, edhe me 700 foshnje së bashku, janë gjetur në disa lokalitete të vendit, si në Galway.

Papa Françesku në vitin 2018, gjatë vizitës së parë të një pape në atë vend  në 4 dekadat e fundit, kërkoi falje për shtëpitë e “nënave me fëmijë”, ndërkohë që nesër pritet që kryeministri Micheal Martin të kërkojë një falje publike për horrorin e shtëpive që duhet të mbronin nga turpi , dhe në fakt kanë turpëruar një shoqëri të tërë.