Ristrukturimi i kredive, Shoqata i bën kërkesë Bankës së Shqipërisë për shtyrjen e masave lehtësuese

Bankat kërkojnë shtyrjen deri në fund të marsit të masave lehtësuese të miratuara nga Banka e Shqipërisë në kuadër të pandemisë. Këto masa konsistojnë në shtyrjen e afatit të pagesave të kësteve të kredive për klientët në vështirësi dhe në ristrukturimin e kredive për bizneset që nuk kanë aftësi paguese. Zyrtarisht, afati i këtyre masave lehtësuese të nisura 6 muaj më parë ka përfunduar më 31 dhjetor 2020 dhe shoqata e bankave i ka dërguar kërkesë zyrtare Bankës së Shqipërisë që ato të qëndrojnë në fuqi deri më 31 mars.

Kjo lëvizje do t’u jepte mundësi bankave të rinegocionin kushtet, me ata klientë biznese dhe individë që po hasin vështirësi për shkak të krizës ekonomike, duke zgjatur afatet e kredisë, apo shtyrë grafikun e pagesave të kësteve.

Deri më sot, kërkesa për ristrukturim ka qenë mjaft e lartë, teksa një pjesë e madhe e bizneseve janë në kushte falimenti.

Pa këtë masë, sistemi bankar do të përballej me një përkeqësim të cilësisë së portofolit të kredisë. Deri më sot, diçka e tillë nuk është reflektuar rritjen e kredive të këqija, që në Nëntor mbetën në nivelin e 8.2%.

Shoqata e Bankave shprehet besimplotë se Banka qendrore do të aprovojë një shtyrje tjetër të këtij afati. Edhe pse këto biznese kanë rritur provigjionet, apo aftësinë për të përballuar humbjet në të ardhmen. Kjo bëri që fitimi neto i sistemit bankar të bjerë me 21% për 11 muajt e parë të vitit të kaluar, në nivelin e 14.3 miliardë lekëve, apo rreth 116 milionë eurove.