Vaksinimi në vendin tonë, qytetarët të dyzuar për ta bërë, bie vigjilenca për mbajtjen e maskës

Nisja e vaksinimit në vendin tonë dhe ulja e numrit të të infektuarve si dhe të vdekjeve, ka bërë që në kryeqytet maska të futet në xhep nga një pjesë e mirë e qytetarëve. Kryesisht, janë të rinjtë ata të cilët neglizhojnë respektimin e masave të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve. Më e ndërgjegjshme duket mosha e tretë, e cila është në pritje edhe të vaksinimit.

Përballë këtij procesi qytetarët janë të dyzuar për kryerjen e vaksinës, veçanërisht të rinjtë të cilët mendojnë se kanë fituar imunitet.

Mjekja Blerta Brati këshillon që vaksinimi të kryhet pasi imunizimi i tufës në mënyrë natyrale mund të ketë pasoja të rënda.

“Imuniteti i tufës që të arrihet në mënyrë natyrale do të na marrë jetë, atëherë vaksinimi mbetet mënyra më e mirë për të arritur këtë imunitet dhe për të qenë më të lirë nga vjeshta dhe fundi i vitit 2021”, tha mjekja.

Sa i përket teorive konspirative të cilat kanë shkaktuar frikë te qytetarët, Brati thotë se vaksina nuk ndërhynë në AND-në e njeriut. 

“Njerëzit dëgjojnë ARN, ARM dhe kanë frikë se mos shkojnë tek ADN-ja. Jo, është një kodim, një fotokopje e ADN-së që injektohet në trupin e njeriut me mesazhin për të krijuar antikorpe. Ajo shkatërrohet brenda disa ditësh”, theksoi Brati.

Kompanitë Pfizer dhe Moderna këshillojnë që personat alergjikë nga ilaçet, ushqimi apo natyra të mos e kryejnë vaksinën pasi mund të ketë efekte të mundshme anësore. Po ashtu, këshillohet që adoleshentët të mos vaksinohen pasi kanë imunitet të fortë si dhe gratë shtatzëna, pasi nuk dihet si do të reagoi fetusi ndaj këtij injeksioni.