Britania në ditë të vështira, pacientët me koronavirus do të trajtohen në hotele

britaniaaa korona 1100x620

Ministri i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Matt Hancock, tha se autoritetet po konsiderojnë mundësinë e vendosjes së pacientëve me Covid-19 në hotele, si një “plan rezervë”.

Kjo deklaratë vjen ndërsa Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) po përballet me presion të shtuar dhe po shkon drejt ezaurimit të kapaciteteve nga numri i lartë i rasteve me koronavirus.

“Ne jemi duke shqyrtuar të gjitha opsionet”, tha ministri për BBC.

Sipas Hancock, kjo padyshim që nuk është dëshira e tij, por është një nga opsionet e mundshme. I pyetur se cilët pacientë do të dërgohen në hotele, Ministri i Shëndetësisë tha se, “do të ishte për pacientët që kanë qenë në spital, të cilët nuk kanë më nevojë për trajtim të plotë spitalor, por nuk janë ende të gatshëm të shkojnë në shtëpi.”

Më herët, kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, tha se shtretërit e lirë në spitalet e Londrës janë drejt mbarimit për shkak të numrit të lartë të shtrimeve të pacientëve me koronavirus.

Teksa nuk fshehu shqetësimin e tij, Khan pohoi se virusi është jashtë kontrollit dhe spitalet janë në prag të mbingarkesës.