Edhe Juventusi vuan në Kupë, përmbyset por kalon falë një të panjohuri

hamzarafiacropped hamzarafiacropped 18vku0wzxvn4f1bkih809qodgc 1100x620

Juventusi ka kaluar në çerekfinalet e Kupës së Italisë duke mundur në fund të 120 minutave Genoan me rezultatin 3-2, në një ndeshje që paraqiti shumë vështirësi për djemtë e Andrea Pirlos.

Të dy ekipet paraqisnin shumë ndryshim e në formacion, por kampionët e Italisë e fillojnë ndeshjen shumë mirë, me golin në minutat e para të Kulusevskit.

Ndeshja duket e përfunduar kur Morata dyfishon rezultatin me një kundërsulm të bukur në minutën 23, por zhvillimi i ndeshjes flet ndryshe.

Genoa zgjohet dhe pak minuta më vonë ul diferencën me një goditje me kokë të Lennart Czyborra, dhe më pas mban rezultatin të “ngrirë” duke u mbrojtur nga sulmet e shumta të Juventusit.

Surpriza e madhe vjen në minutën 74, kur Filippo Melegoni barazon me një goditje fantastike që shtang një Buffon jo pa përgjegjësi.

Juventusit tashmë me Cristiano Ronaldon në fushë i duhet koha shtesë dhe tuniziani 21-vjeçar Hamza Rafia që luan zakonisht me ekipin e dytë për të kaluar në avantazh, dhe më pas mbrohet nga sulmet e një Genoa tejet dinjitoz.