Heqja e taksës së kromit, Meta kthen ligjin: Nisma klienteliste, favorizon një grup njerëzish

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin për taksat kombëtare. Drafti i miratuar nga parlamenti në 17 dhjetor nuk e ka bindur kreun e shtetit për ta sigluar. Nisma në fjalë parashikon heqjen e rentës minerare për një periudhë dyvjeçare për industrinë e përpunimit të kromit dhe bakrit dhe ky lehtësim fiskal është parë nga presidenti si klientelist.

“Përveç humbjeve të të ardhurave në buxhet, dhe diferencimitfiskal mbi baza klienteliste, ndryshimi i propozuar cenon shfrytëzimin me objektivitet të pasurisë kombëtare e cila nëse konsumohet në këtë mënyrë, konsiderohet shpërdorim flagrant i saj”

Arsyetimi i Presidentit Meta

Në argumentet e tij kreu i shtetit shkon edhe më tej duke e etiketuar vendimin e 90 deputetëve që votuan pro, si shpërdorim të pasurisë kombëtare. 

“Meqenëse burime natyrore të kësaj natyre janë jo të rinovueshme, qeveria ka një përgjegjësi të madhe për të siguruar që vendi dhe komuniteti do të marrin përfitime. Shteti përmes këtij ligji, me dashje, heq dorë nga e drejta e tij për të vjelë të ardhurat që i takojnë nga një pasuri që i takon të gjithëve, me qëllimin e vetëm që të favorizojë biznese të caktuar”

Arsyetimi i Presidentit Meta

Ky vendim i Presidentit do të rishqyrtohet nga Kuvendi dhe mazhoranca ka treguar se argumente të tilla të presidentit, nuk janë bindëse për të rrëzuar ligjin e propozuar nga qeveria.