(Jo)transparenca me vaksinën, akti normativ u miratua 10 ditë pas njoftimit. Kontrata, sekret

Në ditën e parë të vitit 2021, kryeministri Edi Rama njoftoi lajmin se qeveria shqiptare kishte mundur të blinte 500 mijë doza të vaksinës anti-covid nga kompania Pfizer. Kontratën për këtë transaksion financiar, qeveria kishte arritur ta mbyllte nëpërmjet një akti normative, ku ishte parashikuar se paratë do të paguheshin menjëherë, ndërsa vaksinat do të vinin në mënyrë graduale. 

“Kemi dakordësuar me akte normative për autorizimin e kontratës sipas marëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer. Sasia e dakordësuar do të paguhet menjëherë në bazë të termave dhe procedurës tip të kompanisë Pfizer me të gjitha vendet, pa përjashtim”, shprehej Rama më 1 janar. 

Pavarësisht këtyre fjalëve të kryeministrit, akti normativ i cituar prej tij nuk figuroi në asnjë prej faqeve online të Kryeministrisë dhe Fletores Zyrtare. Shkak duket se është miratimi i tij më datë 10 janar, 9 ditë pasi u citua nga Edi Rama. Ndërsa 3 ditë më pas, u publikua në Fletoren Zyrtare me numrin rendor 1, duke autorizuar Ministrinë e Shëndetësisë të nënshkruajë kontratën me kompaninë Pfizer.

Në faqen zyrtare të Kryeministrisë vijon të mos ketë asnjë njoftim për mbledhje qeverie në 10 janar, kur rezulton i miratuar akti normativ. Përsa i përket kushteve dhe marrëveshjes konkrete, në nenin 4 theksohet se janë të dhëna që nuk do të publikohen asnjëherë, pasi është vendosur që marrëveshja me Pfizer të mos dalë në asnjë website qeveritar, për arsye të ruajtjes së sekretit tregtar.

Akti normativ tashmë do të shkojë për miratim në Kuvend, ku mazhoranca mesa duket, për të ruajtur të njëjtin sekret, do të kërkojë nga deputetët të votojnë vetëm aktin, pa ditur se çfarë është negociuar konkretisht nga qeveria.