Kupa Libertadores, nuk ka mrekulli për River Plate, Palmeiras në finale

KUPA LIBERTADORES PALMEIRAS RIVER 0 2 frame 632 1100x620

Palmeiras është finalisti i parë i Kupës Libertadores. Festa erdhi pavarësisht humbjes 2-0 në shtëpi me River Plate. Argjentinasit provuan mrekullinë, por tentativat e tyre nuk mjaftuan për të përmbysur humbjen 3-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

“Millonarios” shënuan dy gola në 45 minutat e para të ndeshjes, me Rojas që zhbllokoi rezultatin në të 29-n. Pak sekonda përpara pushimit ndërmjet pjesëve, ishte Borré ai që dyfishoi, duke bërë që sfida të bëhej e zjarrtë.

Ëndrra e River Plate për të realizuar përmbysjen e madhe u shua nga VAR, që në minutën e 52-të anuloi golin e Montiel, i cili do të rikthente barazpeshën totale.

Situata u komplikua pas kartonit të kuq të Rojas, 17 minuta përpara fundit të lojës, ndërsa protestat e futbollistëve të River për dy penallti u hodhën poshtë nga ndërhyrja e saktë e VAR.

Ofensiva totale e argjentinasve edhe gjatë 12 minutave të shtesës nuk mjaftoi. Palmeiras kualifikohet në finalen e Kupës Libertadores për herë të parë prej vitit 2000 dhe tashmë pret të mësojë kundërshtarin e duelit për trofeun, që do të dalë nga fituesi i çiftit Santos-Boca Juniors.