Mjekët kishin parashikuar se nuk do të ecte dot më, 13 vite më vonë debuton në FA Cup

Një histori e mrekullueshme vjen nga FA Cup. Në moshën 5-vjeçare, Declan Thompson e kishte të pamundur të ecte dhe mjekët e diagnostikuan me sindromën Perthes, një sëmundje shumë e rrallë që dëmton ijet. Doktorët u thanë prindërve të tij se djali mund të mos ecte më kurrë.

Pas shumë operacioneve dhe pasi ndenji në karrocë për 18 muaj, Declan nisi të ngrihej në këmbë dhe jo vetëm kaq: ai vazhdoi të ndiqte ëndrrën për t’u bërë futbollist.

13 vite më vonë, Declan Thompson firmosi kontratën e tij të parë si profesionist me Sheffield dhe debutoi në raundin e fundit të FA Cup.

Një moment shumë emocionues që përloti prindërit e tij, të cilët e ndoqën drejtpërdrejtë në televizor realizimin e ëndrrës së djalit të tyre.