Si erdhi Pfizer në Shqipëri? A2 CNN zbulon ditët e pritjes së vaksinës në Rinas

Dhe ndërsa qeveria po mban të fshehtë mënyrën se si erdhi vaksina anti-Covid dhe vendin që e dhuroi, A2 CNN ka zbuluar ditët e pritjes së vaksinës në Rinas dhe orën kur është zhdoganuar.

Në mënyrë të fshehtë dhe në mungesë totale të transparencës, qeveria shqiptare ka siguruar vaksinën e Pfizzer, përmes 975 dozave të dhuruara nga një vend tjetër i Bashkimit Europian. Por, si erdhën vaksinat nga shteti bujar me Shqipërinë? A2 CNN ka siguruar dokumentet origjinale, për ditët e qëndrimit të vaksinës në Rinas dhe kohën e zhdoganimit.

Teksa mëngjesin e 11 janarit në stadiumin Arena nxitohej për t’u bërë gati infrastruktura për fillimin e vaksinimit, dozat e vaksinës ende nuk kishin dalë nga aeroporti i Rinasit. Jo pa qëllim vaksinimi u la në orët e pasdites.

A2 CNN ka siguruar nga sistemi i të dhënave doganore se vaksinat kanë përfunduar procesin e zhdoganimit në orën 2 pa çerek të 11 janarit,  60 minuta para nisjes së fushatës së vaksinimit.

Ndërsa, për zhdoganimin e vaksinave të Pfizer është lëshuar edhe ky autorizim i veçantë importi, i cili mban po datën 11 janar.

Sipas këtij dokumenti origjinal, ngarkesa është e përjashtuar nga të gjitha detyrimet doganore dhe importi është bërë në emër të Institutit të Shëndetit Publik nga kompania Pfizer/Biontek në Gjermani. Por, ky dokument tjetër ngre dyshime për kushtet e mbajtjes së vaksinës së Pfizer, e cila kërkon temperaturë ruajtje -80 gradë C.

Sipas këtij procesverbali vaksinat kanë mbërritur në Shqipëri, të shtunën e 9 janarit dhe janë mbajtur në kuti termike në Rinas për 2 ditë, deri mesditën e 11 janarit kur është bërë zhdoganimi i tyre, nga pasagjeri që përfaqëson Institutin e Shëndetit Publik. Ekspertët e Shëndetësisë duhet të japin sqarime për kushtet se si është ruajtur vaskina nga mbërritja deri tek injektimi i saj.

Ndërsa kryeministri Rama, në konferencën për shtyp, meritën e sigurimit të tyre ia dha vetes, duke vijuar pakënaqësitë ndaj Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian nuk ka fshehur habinë ndaj reagimit të përsëritur të kryeministrit Rama. Përmes ambasadorit në Tiranë, Luigji Soreca, BE thotë se po negocion për sigurimin e sa më shumë vaksinave për vendet e Ballkanit. Brenda janarit, priten të tjera vaksina dhuratë nga i njëjti shtet mik”.

Ndërkohë që vendi i origjinës, Gjermania, nga erdhën dozat e para mohon t’i ketë dërguar. E kontaktuar zyrtarisht nga A2 CNN, qeveria gjermane deklaron se nuk ka dhuruar asnjë vaksinë anti-Covid për qeverinë shqiptare dhe as për një shtet tjetër.