Trafikimi i sirianëve, lihet në burg shqiptari i vetëm i arrestuar

Trafikimi i sirianëve lihet në burg shqiptari i vetëm i arrestuar 1100x620

I vetmi shqiptar i arrestuar në lidhje me trafikimin e 55 shtetasve nga lindja e Mesme, Fatos Dusha, u paraqit këtë të mërkurë përpara Gjykatës së Vlorës. Ndaj hotelierit nga Tirana rëndon akuza e dhënies së Ndihmës në kalim të paligjshëm të kufirit. 

Ndërsa relatoria, Herila Çela, vendosi të lërë në fuqi kërkesën e prokurorit, Hyrjet Lamaj për lënien në fuqi të arrestit të flagrancës dhe masën shtrënguese arrest me burg. Në rrethanat e cilësuara në fashikujt hetimorë rezultoi se vetëm një person nga 55 shtetasit nga Lindja e Mesme, rezultoi se ka fjetur në Hostelin “Allstars”, në pronësi të Dushës. Në telefonin celular të një siriani është gjetur edhe vendndodhja e hotelit. 

Mbrojtja e përfaqësuar nga Edmond Dëme tha në seancë se akuzat ishin të pabazuara. Avokati cilësoi se arresti në flagrancë nuk bazohet në asnjë nga ligjet e flagrancës, sipas tij, arrestimi i klientit të tij u bë pasi u gjet një “location”. Dëme tha se i ka shkuar më herët edhe Drejtoria e Migracionit në Tiranë. “Iu bë kontroll dhe nuk rezultoi i përfshirë. Për shkak të halleve të tij e ka kthyer banesën në hostel”. 

“Sirianët paguajnë 6 euro krevati. Duke qëndruar vazhdimisht kanë krijuar edhe raporte ndërprersonale, i kanë marrë numrin e telefonit, bisedonin në distancë nëse kanë apo jo shtretër të lirë. Ky njeri që ka një grua të verbër, dhe një fëmijë të sëmurë mendor nuk ka asnjë lidhje me trafikantët”, shtoi avokati. 

Ndërsa kërkoi rrëzimin e arrestit në flagrancë dhe zëvendësimin e arrestit me burg me arrest shtëpie. Në dosjen hetimore të prokurorisë listuar edhe disa detaje të rëndësishme. Në dëshmitë e 47 sirianëve, 7 iranianëve dhe 1 egjiptiani thuhet se ata strehoheshin në katin e dytë të një objekti dykatësh, në një kodër të larguar nga banesa të tjera.