Zgjedhjet në Kosovë, Bytyçi: Shumë të rëndësishme, do të përcaktojnë një mënyrë të re të qeverisjes

Profesori i historisë politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, foli në A2 mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, e cila do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, më 14 shkurt.

Bytyçi i vlerësoi si shumë të rëndësishme këto zgjedhje, pasi sipas tij, do të përcaktojnë një filozofi të re të qeverisjes.

“Zgjedhjet në Kosovë janë shumë të rëndësishme, pasi do të përcaktojnë një mënyrë të re të qeverisjes së vendit, një filozofi të re. Së dyti, në këto zgjedhje nuk pati kohë të mjaftueshme që partitë të zhvillonin bisedime për të bërë koalicionet e duhura. Partitë në Kosovë nuk janë të gatshme dhe nuk janë aq tolerante sa të realizojnë koalicione në dobi të interesave qytetare dhe të lënë mënjanë interesat e partive politike”, u shpreh Bytyçi.

Për Bytyçin, pjekuria politike në Kosovë është më e avancuar se në Shqipëri. “Përgjegjësia politike e qytetarëve në Kosovë është më e madhe se në Shqipëri. Reagimet janë me përmbajtje. Ndoshta, kjo ka të bëjë me eksperiencat e mëparshme, me një diktaturë më latente se ajo në Shqipëri. Unë besoj se elektorati në Kosovë në këto zgjedhje do të votojë për ndryshimin. Edhe në 6 tetor 2019, qytetarët votuan për ndryshimin, por politika me filozofinë e Mustafën se nuk e vendosin qytetarët qeverisjen, kjo lloj politike autoritare dhe me koncepte të së shkuarës, bëri që qeverisja në Kosovë të mos shprehë vullnetit politik të qytetarëve. Në rastin konkret, shoh që qytetarët e Kosovës janë të vendosur të bëjnë një ndryshim më të madh se në zgjedhjet e 2019-s. Unë mendoj se 14 shkurti do të jetë një datë historike edhe për këtë fakt”, tha Bytyçi.