“70 mijë lekëshi është pak për mua, sikur më premtove që do e rregulloje dorën”. Bisedat e sanitares së “Shefqet Ndroqit” me vajzën e viktimës

A2 ka siguruar disa prej komunikimeve mes Tire Alldervishi dhe të bijës së një gruaje të shtruar te spitali “Shefqet Ndroqi” me Covid-19, që më pas fatkeqësisht humbi jetën. Sanitarja Alldervishi është lënë në burg me akuzën e “mashtrimit më shumë se një herë”.

Në bisedat e siguruara nga A2, duket se Alldervishi shërbente edhe si ndërmjetëse mes vajzës të së ndjerës dhe personave të tjerë, personel shëndetësor, në spital. Në disa raste ajo i tregon me detaje se cilët janë infermierët në turn dhe paratë që u ka dhënë në emër të së bijës së viktimës.

“Na hahet mish me lëng, merr ke lokali ku pinë kafe në darkë. Në orën 7 e duam gati mbas insulinës”, lexohet në një prej mesazheve.

Në një tjetër komunikim, Alldervishi i ankohet vajzës së viktimës për shumën e parave të marra si ryshfet. “Atë 70 mijë lekëshin pse ma dhe? Për ditën apo për natën? Për mua janë pak për sonte. Sikur më premtove që do e rregulloje dorën. Nuk mërzitem, mund të gjesh një njeri tjetër më të mirë dhe më të lirë, nuk më ngelet qejfi”.