Chapecoense kthehet në elitë 4 vjet pas aksidentit tragjik

CHAPECOENSE 4 VJET PAS TRAGJEDISE frame 389 1100x620

Pak festë pas katër vjetëve vuajtje për Chapecoense. Katër vjet pas tragjedisë ajrore, ku pjesa më e madhe e skuadrës humbi jetën, Chapecoense arrin të kthehet në elitën e futbollit brazilian.

Skuadra modeste nga jugu i Brazilit u ngjit pas fitores 2-1në derbin kundër Figueirense-s, tjetër skuadër e shtetit të Santa Catarina-s, kur kanë mbetur edhe katër javë nga mbyllja e sezonit në kategorinë e dytë.

Gëzimi është i kuptueshëm pas historisë së afërt të klubit. Dhimbja e madhe për tragjedinë njerëzore që preku botën mbarë në vitin 2016, u shoqërua edhe me rënien e klubit në ligat inferiore. Sikur kjo të mos mjaftonte, skuadra ishte në zi gjatë dhjetorit 2020, për shkak të ndarjes nga jeta të presidentit Paulo Magro, viktimë e pandemisë Covid-19.

Por, pas vuajtjeve, tashmë erdhi momenti për të festuar. Chapecoense u ngjit mes peripecive dhe e rrezikuar nga problemet financiare. Në qershor, klubi nisi një fushatë dhurimesh, për të siguruar fondet e nevojshme për pagesën e lojtarëve dhe stafit.

Gjithçka ishte pasojë e tragjedisë së nëntorit 2016, kur ekipi po udhëtonte drejt Kolumbisë për të luajtur në finalen e Kupës Amerikano-Jugore, ekuivalenti i trofeut të Europa League.

Avioni La Mia 2933 u përplas me një mal pranë Medelin në Kolumbi, duke bërë që 71 nga 77 pasagjerët në bord të humbisnin jetën. Mes tyre 19 ishin futbollistë, 14 pjesëtarë të stafit dhe rreth 20 gazetarë.

Festa më e madhe ishte padyshim ajo e Alan Rushcel, një nga tre lojtarët që i mbijetuan aksidentit ajror dhe i vetmi që është rikthyer në aktivitet. Rikthimi në elitën e futbollit brazilian ishte sfida e tij dhe premtimi që klubi iu bëri tifozëve, pavarësisht vuajtjeve të panumërta.