Flasin ekspertët, kush ka të drejtë të kandidojë në zgjedhjet e Kosovës?

Që prej konfirmimit të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, u hap një debat publik lidhur me të drejtën e kandidimit. Ekspertët e fushës u mblodhën në një tryezë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi për të diskutuar lidhur me këtë temë.

Për diçka janë të gjithë në të njëjtin mendim; kushdo që ka dënime të prera qoftë me gjobë, burgim apo me kusht në tre vitet e fundit nuk duhet të kandidojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“As në dispozitiv dhe as në pjesën arsyetuese të aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese nuk ka lënë asnjë dyshim më të vogël se çdo kush që ka dënim fajësues për tri vite pa marr parasysh shkallën e veprës, peshën e veprës dhe të dënimit në mënyrë jo diskriminuese ka cenuar garancitë kushtetuese nga neni 45, por edhe nga neni 70.6 edhe këtë garanci ka rrënuar për shkak se nuk ka asnjë logjik që dikush që ndërkohë është deputet të vijë një dënim 8-9 muaj për ndonjë vepër. Gjykata nuk ka bërë asnjë dallim sa i përket peshës së veprës llojit të dënimit dhe në mënyrë gjenerale po e përsërisë se nuk ka asnjë rend që citohen në raportin e Venecias që e thotë në këtë mënyrë”, tha Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

“Po iu referuam interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm ata që janë dënuar, por edhe atij që iu është referuar vërejtja gjyqësore që nuk është fare dënim, edhe vërejtja gjyqësore shpallet fajtor jo vetëm i dënuar, por edhe i pa dënuar fare edhe me vërejtje gjyqësore që ia bën me gisht me u shprehur në mënyrë metaforike, por edhe ai që është dënuar 100 euro sepse minimumi i dënimit është 100 euro nuk ka të drejtë për t’u zgjedhur sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Fejzullah Hasani, ish kryetar i Gjykatës Supreme.

Ndërsa për avokatin Kujtim Këveshi kushdo që është shpallur fajtor në tri vitet e fundit për një vepër nuk ka se çfarë kërkon në procesin zgjedhor që është aktual dhe në të tjerët brenda kësaj periudhe.

Diskutimi është përqendruar kryesisht në kandidimin ose jo të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në shtator të 2018-ës dhe shpalljen fajtor të Kurtit dhe 3 deputetëve të tjerë për dy vepra penale, të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm si dhe për pengim të zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës.

Kreu i Vetëvendosjes është dënuar në total me 1 vit e 9 muaj burg me kusht dhe kjo masë nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen një vepër të re penale brenda 2 vitesh, periudhë e cila tashmë ka përfunduar.

Megjithatë, ekspertët e fushës pohojnë se Kurti nuk ka të drejtë të kandidojë, pasi afati 3-vjeçar i përfundon në shtator dhe jo në shkurt kur votohet për rinovimin e parlamentit në Kosovë. Gjithashtu, ata patën kritika edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme duke thënë se ka probleme thelbësore dhe serioze që cenojnë sigurinë juridike.