“Nuk ka pyll pa derra”, Rama reagon për rastin e sanitares që mori 800 mijë lekë

Gjatë një vizite në qendrën shëndetësore nr.1 në Tiranë, kryeministri Edi Rama përmendi dhe rastin e denoncuar në media të një sanitareje të spitalit “Shefqet Ndroqi”, e cila i mori 800 mijë lekë familjarëve të një pacienteje, e cila më pas ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit.

Duke e cilësuar si ngjarje mjaft të rëndë, kreu i qeverisë shprehu keqardhje që kjo histori cenon imazhin dhe reputacionin e mjekëve në një kohë kur po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.

“Jam i keqardhur për atë historinë e asaj sanitares që cenon imazhin, reputacionin dhe punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe krijon perceptimin që kjo është një mënyrë e të punuarit. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer në atë ngjarje është puna e bërë nga gazetarët investigativë, se kanë nxjerrë në pah një llum, tejet të papërtypshëm. E dimë që nuk ka “pyll pa derra”, siç nuk ka asnjë sistem ku s’mund të gjenden fundërrina të tilla, por kjo nuk e zhbën sakrificën dhe madje në këtë rast heroizimin”, tha mes të tjerash kryeministri.