Opozita shkon me dy lista në zgjedhje, Ndoka: Në listën e PD, aleatët tradicionalë. LSI, listë më vete

Opozita do të shkojë në zgjedhje me dy lista. Një e kryesuar nga PD dhe aleatët tradicionalë, dhe tjetra nga LSI.

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka deklaroi në studion e “Ditarit” në A2 se do të jetë në listën e PD dhe po negociohet për detajet e tjera teknike.

“Besoj se opozita do të dalë me dy lista. LSI dhe disa parti të tjera do të kenë një grupim që i takon më tepër spektrit të majtë dhe të qendrës, ndërsa PD do të jetë me aleatët tradicionalë të saj do të jetë në një koalicion tjetër.

Kemi zgjedhur këto forma për të maksimizuar votat, por do të ketë një marrëveshje e të gjithë opozitës, një marrëveshje politike, programore, për të qenë të gjithë bashkë edhe pas zgjedhjeve.

Tashmë janë gjëra teknike. Partia Demokristiane i ka ofruar Partisë Demokratike disa kandidatë potencialë. Po testojmë, po shohim mundësinë e këtyre kandidatëve që të futen në listat e opozitës të bashkuar. Mundësitë janë të kufizuara dhe në këtë sens po bëhet një lloj vlerësimi të kandidatëve nga çdo partie e opozitës.

Pavarësisht se kanë punuar disi në heshtje, grupi negociator i PD-së ka pasur kontakte me partitë e tjera. Kantaktet kanë qenë të vazhdueshme me çdo subjekt politik që dëshiron t’i bashkohet harkut opozitar”, u shpreh Nard Ndoka në A2.