22 vite nga masakra e Reçakut, Kurti dhe Osmani bashkë në homazhe: Drejtësi për viktimat

Pasi zyrtarizuan ”martesën politike” për zgjedhjet e 14 shkurtit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, u shfaqën sërish krah njëri-tjetrit, për të zhvilluar homazhe në memorialin e Reçakut, me rastin e 22-vjetorit të masakrës.

Kandidatët për kryeministër e president, kërkuan drejtësi për atë që e quajtën masakrën më të tmerrshme në historinë e njerëzimit.

“Masakra e Reçakut është një ndër dëshmitë më autentike për atë që ka ndodhur. Prandaj nga këtu duhet me zë të lartë ta themi këtë të vërtetë, të kërkojmë drejtësi për të gjithë ata që ishin viktima civile dhe për ata që ranë dëshmorë për lirinë tonë”, u shpreh Osmani.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se Serbia kishte në projekt shfarosjen e shqiptarëve.

“Jo vetëm urdhërdhënësit, por edhe ekzekutorët dihen me emra në shumë raste, jo vetëm për masakrën e Reçakut, ndaj është detyrë e shtetit tonë dhe e faktorit ndërkombëtar që t’i ndjekim e gjykojmë e t’i dënojmë ata. S’mund të ketë paqe të qëndrueshme përderisa s’ka drejtësi që sjell rehabilitim për viktimat e dënim për kriminelët”.

Memorialin e vizitoi edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili theksoi se viktimat nuk do të gjejnë paqe deri sa përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.

“Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa derisa ata që kanë kryer këto vepra të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon, por jam i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Hoti.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë e masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur në fshatin e Reçakut, një ngjarje që ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.