Kontrata e vaksinës, Ruçi: Deputetët s’do të votojnë qorrazi, por të ruajnë sekretin

Kuvendi ka marrë nën administrim aktin normativ që autorizon Ministrinë e Shëndetësisë të blejë vaksinën anti-covid nga kompania Pfizer.

Klasifikimi i marrëveshjes si sekret ka ngjallur diskutime gjatë konferencës së kryetarëve. Sipas procesverbalit të mbledhjes së fundit, Gramoz Ruçi ka pasur një porosi direkte për deputetët.

“Çështja është që marrëveshja nuk do të botohet në faqen zyrtare. Marrëveshja do të jetë e depozituar si marrëveshje sekrete, brenda të gjitha rregullave që përbën sekreti dhe konfidencialiteti i gjërave”, porosit Ruçi.

Por a do të mund të njihen deputetët me aktin në fjalë përpara se sa ta votojnë?

“Sigurisht, deputetët nuk do të votojnë qorrazi. Do të njihen me aktin normativ, do të njihen me relacionin, do të njihen edhe me marrëveshjen. Deputetët do të vijnë, kush është i interesuar, të njihet me marrëveshjen në komisionin përkatës, duke pasur një kopje atje.”

Akti normativ është parashikuar që të marrë dritën jeshile në parlament gjatë seancës së 28 janarit.