Rusi “i artë” i Shqipërisë

Në vitin e çuditshëm 2020, Shqipëria kishte një buzëqeshje në fund, një medalje e artë europiane, e befasishme, për shumë arsye, në një moment ku gjimnastika shqiptare ka shumë probleme. Medalja vjen nga një gjimnasti rus, i tërhequr fillimisht nga ky sport, por që rikthehet për një flamur tjetër, atë kuqezi, duke triumfuar.

Takohemi në palestrën e Universitetit të Sporteve me Matvey Petrov dhe trajnerin e tij Alon Hasa.

Matvey pohon se historia e tij është e veçantë. “Është një histori e pazakontë, sepse u zhvendosa në Pragë, ku nisa të punoj si trajner. Në atë periudhë e kisha lënë sportin, por Aloni më sugjeroi të stërvitesha sërish në gjimnastike, sepse isha ende i ri. Më pas mu krijua mundësia që të merrja pasaportën shqiptare dhe isha i lumtur që mund ta vazhdoja në nivelet maksimale”.

“Mendoj që rusët janë penduar. Por, ata e kishin shansin të më mbanin në ekip”, thotë kampioni europian i kalit me doreza, Matvey Petrov

Përfaqësimi i parë me Shqipërinë ishte pikërisht në Moskë, tri vite më parë, ndjesi e veçantë.

“Ishte shumë interesante, sepse kisha vetëm pak kohë që isha larguar nga skuadra ruse. Të gjithë gjimnastët rusë më njihnin mirë, sepse kemi kaluar shumë vite në ekipin përfaqësues. Por të gjithë më mbështetën, madje edhe drejtuesit e federatës ruse. Më thanë: Bëj atë që mendon se është më e mira, ke mbështetjen tonë!”

Mbështetja ishte edhe më e madhe kur Petrov fitoi medaljen europiane në Mersin të Turqisë, por a është penduar vallë federata ruse? “Mendoj që po. Por, ata e kishin shansin të më mbanin në ekip”, thotë ai për A2.

Medalja erdhi në specialitetin e  kalit me doreza, pika e forte i një atleti të kompletuar në çdo vegël.

“Vështirësia e kësaj vegle, është që gjimnasti duhet të jetë shumë i qëndrueshëm në mendjen e tij. Për shembull, te unazat me adrenalinën që të japin, ndihesh më tepër i fuqishëm. Kjo të ndihmon edhe për qëndrimin drejt. Te kali me doreza ndihesh nervoz dhe rrezikon të biesh. Nuk është një ushtrim i lehtë”, shpjegon ai, pasi na jep një provë të talentit.

“Kushtet e stërvitjes duhet të ishin më të mira”, thotë Petrov duke u parë rrotull në palestër

“Jo të gjithë e njohin historinë e plotë, me shumë dëmtime dhe vuajtje që kam kaluar. Ishte një rrugë e gjatë dhe familja ime e di shumë mirë çfarë kam përjetuar. Pas të gjithë kësaj, medalja e artë ishte një suksesi jashtëzakonshëm për mua”, shton 32-vjeçari.

Finalist në botëror, nënkampion me Rusinë në Europian dhe fitues me Shqipërinë, po të ishte ushtruar në Shqipëri dhe jo në Republikën Çeke, nuk do ta kishe të lehtë.

“Kushtet e stërvitjes duhet të ishin më të mira”, thotë ai duke u parë rrotull në palestër.  “Unë jam një gjimnast me eksperiencë dhe nuk më duhet të mësoj ushtrimet bazë. Por, për fëmijët që do të nisin të praktikojnë gjimnastikën, kushtet duhet të ishin më të mira. Natyrisht që mund të ndihmojmë, sepse e dimë çfarë nevojitet për sportin e gjimnastikës. Kemi shumë fëmijë që praktikojnë këtë sport në Republikën Çeke dhe do ta ndihmonim me kënaqësi rikthimin e gjimnastikës shqiptare në nivele të rëndësishme dhe stërvitjen e talenteve”.

“Që ta çoj aty ku është Petrov, që të fitojë një medalje, kemi shpenzuar 30 mijë euro nga xhepi”, thotë trajneri Alon Hasa.

Po cilat janë objektivat? “Po stërvitemi në mënyrë specifike për Lojërat Olimpike Paris 2024. Por, gjatë këtij viti kemi edhe shumë evenimente të rëndësishme dhe me rivalitet. Gjithashtu, kemi ende një shans për Olimpiadën në Tokio. Do të ishte realizimi i ëndrrës time prej kur kam nisur karrierën si gjimnast. Do të ishte padyshim një sukses i madh për mua”.

Petrov premton medalje të tjera, por edhe trajneri Hasa, i cili solli Petrov në Pragë ku edhe ai punon, nënvizon diçka. “Kemi qenë edhe unë kampion Ballkani me Shqipërinë, dhe i kam paguar vetë shpenzimet. Matvey stërvitet 7 orë në ditë. Që ta çoj aty ku është, që të fitojë një medalje, kemi shpenzuar 30 mijë euro. Por ne e bëjmë me shpirt, edhe pse deri më tani nuk kemi marrë asnjë lek nga Federata, ai e bën për pasionin dhe ambicien e tij”.