Paga e mësuesve, Halilaj: Nuk do të rriten 15% sa thotë kryeministri, është lojë shifrash

Premtimi i kryeministrit Edi Rama për rritjen e pagave të mësuesve shihet me sy kritik nga Sindikata e Pavarur e Arsimit.

Isa Halilaj thotë se llogaritja do të bëhet ndryshe dhe arsimtarët nuk do ta përfitojnë të plotë këtë rritje që ka premtuar kreu i qeverisë.

“Rroga e mësuesit ka 4 komponentët. Në rastin konkret rritet paga e pozicionit. Për një mësues të ciklit të ulët rritja e pagës është 4472 lekë më shumë”, u shpreh Isa Halilaj.

Premtimi për rritje të pagave disa muaj përpara zgjedhjeve sipas Halilaj është një traditë që vazhdon në vendin tonë. 

“Rritja e rrogave në prag të fushatës është një propagandë më shumë se rritje reale. Para 4 viteve premtoi se pagat e mësuesve do të rriten me 40% dhe kjo nuk ndodhi”, shtoi Halilaj.

Nga konferenca për shtyp e kësaj të marte, kryeministri Rama sqaroi se rritja e pagës do të jetë në bazë të funksioneve.

“Rritja e pagës është bërë sipas funksioneve. Ka qenë shumë e qartë edhe në krye të herës edhe nga shpjegimi që kemi bërë. Pra nuk është 7 x 7 = 42 edhe ajo”, tha Rama.

Sindikata e Arsimit kërkon që mbështetja ndaj arsimit të jetë të paktën 5.5% e PBB, nga 3.3% që është aktualisht.